Al Shabab vret 15 studentë në Kenia, dhjetëra të tjerë po mbahen peng

Militantë të armatosur të grupit islamik Al Shabab janë futur sot në një universitet në qytetin Garissa të Kenisë dhe kanë vrarë të paktën 15 studentë, ndërsa shumë të tjerë po i mbajnë peng.

Bota

02/04/2015 13:58

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, përveç studentëve të vrarë, të paktën 65 persona të tjerë janë plagosur, ndërsa Al Shabab, që ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, ka njoftuar se disa studentë myslimanë, nga grupi i marrë peng, janë liruar, ndërsa të krishterët po i mbajnë brenda.

Disa dëshmitarë kanë thënë se sulmuesit e maskuar vranë dy rojat e portës së Universitetit dhe më pas u futën nëpër salla duke gjuajtur fillimisht pa dallim të përkatësisë së tyre fetare.

“Dy policë po ashtu janë plagosur, të cilët ishin afër vendit të ngjarjes dhe u përpoqen të parandalojnë sulmin. Pastaj erdhën forca të tjera policore dhe përleshja është duke vazhduar”, ka thënë për BBC-në një nga dëshmitarët në vendngjarje, raporton lajmi.net.

Qytetit Garissa është shprazur, qytetarët qëndrojnë brenda shtëpive, ndërsa dëgjohen vetëm sirenat e ambulancave që po bartin të plagosurit drejt spitalit. Po ashtu dëgjohen krismat e armëve mes policisë dhe militantëve të futur brenda kampusit universitar, të cilët sipas raporteve janë pesë e maksimum dhjetë veta, të armatosur me kallashnikov dhe minahedhës.

Al-Shabab në sulmet e kryera në të kaluarën ka kursyer jetët e myslimanëve. Ky grup ka kryer një seri sulmesh në Kenia që nga 2011, kur trupat keniane janë dërguar në Somali për të grupin militant atje.

Sulmi më i madh terrorist dy vitet e fundit është kryer në një qendrën tregtare në Nairobi, në shtator 2013, kur vdiqën 67 persona.

Al-Shabab është duke luftuar për të krijuar një shtet islamik në Somali, ndërsa është i shpallur si grup terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. /lajmi.net/

Forcat policore keniane po përpiqen të lirojnë pengjet nga personat e armatosur të Al Shabab
Forcat policore keniane po përpiqen të lirojnë pengjet nga personat e armatosur të Al Shabab