‘Al-Nusra’, e lidhur me ‘Al-Qaeda’n

Përkufizimi më i gjerë i tij, deri më sot, është “grup militant i lidhur me Al-Qaeda-n” dhe, në fakt, anëtarët e Al-Nusra-s, apo Frontit mbështetës për popullin e Levantit, frymëzimin e marrin pikërisht nga rrjeti më i madh terrorist ndërkombëtar.

Bota

15/03/2014 06:43

Edhe pse i krijuar vetëm dy vjet më parë, grupi që mori jetë 23 Janarin e 2012-s, gjatë luftës civile siriane, përshkruhet si më agresivi dhe më i suksesshmi në fushatën e tij, se të gjithë organizmat e tjerë të ngjashëm në këtë vend.

Kombet e Bashkuara, SHBA-të, Australia dhe Britania e kanë përfshirë në listën e tyre të organizatave terroriste.

Vetë lideri i Al-Nusra-s, Abu Mohammad al-Jawlani, e ka pohuar me gojën e tij aleancën me numrin një të Al-Qaeda-s, Ayman al-Zawahiri. Megjithatë, Majin e vitit 2013, një fraksion besnik ndaj lidershipit të shtetit islamik të Irakut nisi të vepronte si njësi më vete, nën emrin “shteti islamik i Irakut dhe Levantit”.

Nga Nëntori i po atij viti, pjesëtarë e mbështetës të tij online nisën të qarkullonin banera, flamuj dhe fletushka, nën emrin “Al-Qaeda në Siri”, apo duke i bashkangjitur në disa raste edhe përcaktimin Jabhat al-Nusra.

Ky grup rezistence, siç e përshkruan veten, përbëhet në masën më të madhe nga muxhahedinë islamikë sunitë. Objektivi qendror i tij është rrëzimi i qeverisë së Bashar al-Assad-it dhe krijimi i një shteti pan-islamik, ku të funksionojë ligji i Sheriatit.

Grupi i nxit të gjithë sirianët të marrin pjesë në luftën kundër regjimit dhe strategjitë e ndjekura prej tij për të fituar mendjet dhe zemrat e komuniteteve muslimane lokale përfshijnë shërbimet ndaj popullit, përpjekjet për të mos u parë si ekstremistë, ruajtjen e një marrëdhënie të fuqishme me fraksionet e tjera rebele dhe përqendrimin e të gjitha energjive te beteja me qeverinë.

Nuk kanë munguar akuzat për sulme ndaj besimtarëve fetarë jo-sunitë në Siri, përfshirë këtu alavitët.

Edhe largimi i Bashar al-Assad-it nga skena është objektivi i tyre i madh, anëtarët e grupit i referohen Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit si armiq të islamit, dhe i kundërvihen me forcë ndërhyrjes së Perëndimit në Siri, ndonëse e kanë bërë të qartë se lufta e tyre është e kanalizuar te regjimi dhe shtetet perëndimore nuk kanë aspak ndërmend t’i sulmojnë. / Top Channel