Al Maliki ‘mirpret’ sulmet siriane në Irak

Kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki, ka deklaruar të enjten se Siria ka kryer sulme ajrore në territorin e Irakut.

Bota

26/06/2014 16:44

Kryeministri irakian ka thënë se avionët sirianë kanë bombarduar pozicionet e militantëve përreth qytetit kufitar Al-Qaim, të martën e kaluar, më 24 qershor.

Autoritetet siriane përmes mediave shtetërore i kanë hedhur poshtë pohimet e kryeministrit irakian.

Siç raporton BBC, Maliki ka thënë se mirëpret çdo sulm që ka në shënjestër militantët e organizatës së ashtuquajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, edhe pse sipas tij, Bagdadi zyrtar nuk ka kërkuar ofensivë ajrore nga Damasku.

Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, grup i lidhur me rrjetin terrorist Al Qaeda, gjatë këtij muaji ka marrë kontrollin e disa territoreve në veri dhe perëndim të Irakut, me rast janë vrarë më shumë se 1500 irakianë.