Akuzuesja e gjykatësit Kavanaugh kërkon më shumë kohë

Avokatja e gruas që e akuzoi për sulme seksuale gjykatësin e emëruar për Gjykatën Supreme të SHBA-së, tha se "nxitimi" i Senatit për seancë dëgjimore është "i panevojshëm".

Bota

20/09/2018 09:53

Lisa Banks tha se klientja e saj, Christine Blasey Ford, është e gatshme të bashkëpunojë, porse kërkon “hetim të plotë jopartiak” përpara dëshmisë së saj.

Fordit iu dha kohë deri të premtën për të vendosur nëse do të dëshmojë ose jo në seancën e caktuar për 24 shtator.

Gjykatësi Brett Kavanaugh, 53 vjeç, thotë se akuzat kundër tij, për sulm seksual ndaj Fordit në vitin 1982, janë “krejtësisht të rreme”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e mbrojti të emëruarin e tij, duke thënë se e ka të vështirë të imagjinojë se ka ndodhur diçka e tillë.

Posti i gjykatësit të Supremes në SHBA është i përjetshëm.

Kjo gjykatë është shpesh fjala e fundit për ligjet e diskutueshme dhe nëntë gjyqtarët e saj kanë një ndikim të madh në jetën politike amerikane.