I akuzuari për tentim grusht shteti në Turqi, ka një rrjet të shkollave në Kosovë

Njeriu i cili po akuzohet nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, se qëndron pas tentimeve për grusht shteti, Fetullah Gulen dhe lëvizja e tij “Hizmet”, kanë një rrjet të gjerë arsimor në Kosovë dhe Shqipëri. Ky rrjet përfshin universitete, shkolla dhe çerdhe për fëmijë.

Lajme

16/07/2016 18:44

Lëvizja Gülen (Gylen) është një nga lëvizjet fetare më të rëndësishme në Turqi. E merr emrin nga themeluesi i saj, Fetullah Gulen, një hoxhe nga Anadolli, tashmë 75-vjeçar.

Ndjekësit e saj janë të përfaqësuar gjerësisht në elitën politike, administrative, dhe tregtare të shtetit turk. Në nivel ndërkombëtar, Lëvizja Gülen është e njohur për sistemin e saj arsimor.

Në Shqipëri dhe Kosovë, Lëvizja Gülen ka ndërtuar një rrjet shkollash nga cikli i ulët (Kolegjet Turke) deri në të lartin, te cilat operohen nga “Turgut Özal Education Company” dhe “Fondacioni Arsimor Gulistan”.

Kolegji i shkollës fillore dhe të mesme të ulët e të larë, “Mehmet Akif College”, është një rrjet arsimor i cili është vendosur edhe në Shqipëri dhe Kosovë. E që kjo shkollë është e ndërtuar dhe udhëhequr nga “Lëvizja e Gulenit”, është e konfirmuar nga vetë predikuesi islamik, i cili jeton në Pensilvania të Amerikës.

Në vitin 2010, në një shkrim të botuar nga Gulen në faqen e tij zyrtare të internetit Fgulen.com, tregon për vlerat e sistemit të tij shkollor dhe jep disa nga shembujt konkret të këtyre shkollave, duke përmendur në mesin e tyre shkollën “Mehmet Akif College” të Tiranës.

Shkollat e “Lëvizjes së Gulenit” në Kosovë udhëhiqen nga “Fondacioni Arsimor Gulistan”, e cila ka nën drejtim rreth 6 produkte të rrjetit dhe sistemit arsimor të Gulenit.

Prej tyre, katër kolegje të arsimit fillor dhe të mesëm me emrin “Mehmet Akif College – MAC”, një çerdhe – me emrin “Yllka” dhe shkollën fillore dhe të mesme të ulët e njohur si “Shkolla Ndërkombëtare e Prishtinës”.

Institucioni arsimor “Gulistan”, Kolegjin e parë me emrin “Mehmet Akif” e ka hapur më 7 shkurt 2000 në Prishtinë, raporton Insajderi.

Madje, hapja e këtyre shkollave dhe universiteteve ishte edhe një nga temat e diskutimit në mes të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama në vizitën e fundit të Erdoganit në Shqipëri.

Në vizitën e vitit të kaluar në Tiranë, Erdogan i kërkoi Ramës që të mbyllte këto shkolla, pasi sipas tij, ato “paraqesin rrezik të madh për shqiptarët”. megjithatë, kjo kërkesë u hodh poshtë nga ministrja e Arsimit në Shqipëri, Lindita Nikolla.