Akuzuan drejtorin për pedofili, zbardhen dëshmitë e nxënëseve: Më ngacmoi dhe në korridor

Zbardhen detaje nga ndalimi i Yzedin Hajdarajt, drejtorit të shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara” në Berat.

Lajme

28/05/2017 21:43

Ngjarja për të cilën drejtori është akuzuar si përgjegjës, dyshohet se ka ndodhur të mërkurën, gjatë kohës kur dy vajzat ndodheshin në zyrën e drejtorit për shkak të një provimi të prapambetur.

Si mësues i lëndës së gjeografisë për vitin e dytë, përkatësisht në klasat e 11-ta, drejtori mësohet se u kishte dhënë mundësinë dy nxënëseve që të jepnin provimin e fundit që nuk e kishin kryer ende. Për të bërë provimin drejtori i kishte marrë dy vajzat në zyrën e tij dhe u kishte dhënë tezat e zhvillimit.

Pikërisht gjatë kohës që kanë qenë duke zhvilluar provimin, nxënëset kanë akuzuar drejtorin se ky i fundit i kishte ngacmuar seksualisht. Ndërkohë që sipas dëshmisë së njërës prej vajzave, e njëjta situatë kishte ndodhur me të edhe një muaj më parë, kur 59- vjeçari e kishte prekur ndërsa kalonte në korridorin e shkollës.

Menjëherë sapo kanë përfunduar provimin, nxënëset kanë shkuar në Drejtorinë Arsimore në Berat, ku kanë kërkuar të konsultohen për të denoncuar rastin.

Një psikologe e DAR është vënë menjëherë në dispozicion të vajzave dhe sapo është mësuar se bëhej fjalë për ngacmim, i pretenduar seksual nga një drejtues shkolle, është bërë denoncimi në polici.

Në prezencë të psikologes dhe të prindërve vajzat kanë denoncuar drejtorin se i kishte prekur në pjesë të ndryshme të trupit, herë njërën e herë tjetrën. Policia është duke hetuar në lidhje me ngjarjen, ku përveç vajzave mësohet se janë pyetur familjarët e tyre, disa nxënës të tjerë të shkollës dhe kolegë të drejtorit.

Policia në pistat e hetimeve nuk ka përjashtuar as mundësinë e një ngjarjeje të trilluar nga vetë nxënëset, gjë e cila mbetet për t’u hetuar tashmë. Lajmi për ndalimin e drejtorit ka tronditur gjithë kolegët, por dhe nxënësit e tjerë të shkollës.

E ndërsa kolegët e Hajdarajt kanë pasur reagim të prerë duke mos u prononcuar dhe lënë në dorë të hetimeve zbardhjen e së vërtetës, nxënës të shkollës shprehen se drejtori kurrë më parë nuk kishte shfaqur sjellje të tilla.

Me shumë pikëpyetje ngjarja konsiderohet e rëndë për sistemin arsimor në Berat, pasi vetë shkolla ku ka ndodhur ngjarja (Bab Dudë Karbunara) është e njohur në shkallë vendi për rezultatet e arritura në shumë olimpiada shkencore, por edhe nxënësit e nxjerrë ndër vite në bazë të rezultateve të arritura në Maturën Shtetërore./Panorama/