Akuzohen nga të gjithë, por mohojnë cilësinë e dobët të naftës dhe shmangien e fiskalizimit

Në Puls të KTV-së sonte u zhvillua një debat i ashpër mes përfaqësuesve të naftëtarëve dhe ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj. 

Lajme

12/01/2015 21:21

Mulaj akuzoi naftëtarët se po e shkatërrojnë tregun dhe se 150 raste i kanë dërguar në gjykatë për shkak të mungesës së sasisë dhe cilësisë.

Por, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së naftëtarëve, tha se naftëtarët do të fiskalizohen dhe gjërat po ecin mirë.

Mirëpo, Mulaj u kundërpërgjigj se naftëtarët “nuk po fiskalizohen sepse duan t’i ikin tatimit”.

Berjani, ndërkaq u përgjigj pa argumente me fjalët “veç po ia fut kot”.

“Ne nuk po i ikim tatimit”, tha Berjani.

Gazetari I Kohës Ditore, Visar Prebreza theksoi se nafta në vendin tonë është jocilësore, se vidhet dhe se litri nuk është litër, raporton Koha.net.

“Pra, ky treg është totalisht i pakontrolluar dhe shteti asgjë nuk ka bërë për ta rregulluar këtë treg”, tha Prebreza.

Mirëpo, Berjani mohoi të ketë kurdisje të çmimeve të naftës.

Jakup Gashi, pronar i laboratorit “Sierra Lab”, i ftuar në emision, tha se testet laboratorike kanë treguar se sasia dhe cilësia nuk janë në përputhje me ligjin. Me këtë rast ai akuzoi Berjanin duke i thënë se “ju e keni lejuar të shitet në treg dhe e keni shkelë ligjin”.

“Nafta në Kosovë është e cilësisë së dobët”, shtoi Gashi.

Mulaj tregoi rastin kur nga e njëjta kompani ka marrë naftën dhe e ka dërguar në dy laboratorë. “Merre me mend, në njërin del rezultati ndryshe në tjetrin ndryshe”.