Akuzat e Thaçit ndaj Berishës, Tritan Shehu në mbrojtje të ish-liderit të PD

Pretendimet e ngritura nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, duke përfshirë në territorin e Kosovës, Luginën e Preshevës, ka hapur debate të shumta në arenën politike.

Lajme

04/08/2018 18:48

Presidenti i Kosovës, edhe pse pa ia përmendur emrin, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit Berisha që ka deklaruar se është kundër pretendimeve për korrigjim kufijsh.
E teksa Thaçi shkruan se nuk pranon këshilla nga njerëz që kanë ndihmuar Millosheviqin, në mbrojtje të ish-kryeministrit Berisha ka dalë Tritan Shehu, i cili mbante rolin e ministrit të Jashtëm kur Berisha ishte President.

“Me shumë habi dëgjova, një sërë “akuzash” ndaj tij, diametralisht të kundërta me realitetin, rolin e kontributin e tij. Nuk ja vlen të shkruash gjatë për të rrëzuar të tilla shtrembërime, por nuk mund të rri pa theksuar atë që është e vërteta, rolin e pa zevendësueshem të Berishës jo vetëm për demokratizimin e hapjen e Shqipërisë, por dhe per kombin tonë, përfshi e Kosovën e Rajonin”, shkruan në Facebook Shehu, që në një status më herët vlerësonte Berishën si personi që hapi kufirin me Kosovën, përmes Rrugës së Kombit.

Për Tritan Shehun roli i Berishës në 25 vite ishte parësor ne të gjitha proceset integruese të vendit dhe stabilizues për rajonin.

“Një faktor thelbësor në arritjet e pa imagjinueshme të shqiptareve në këto 25 vite kanë qenë dhe zhvillimet demokratike në Shqipëri, ecja e saj e shpejtë drejt NATO e BE, racionaliteti e vizioni i politikave tona, roli thellësisht integrues e stabilizues për Rajonin që në luajtëm prej Marsit 1992. Dhe pa dyshim roli i Berishës si lideri i lëvizjes e proceseve tona demokratike, ishte parësor në të gjitha këto procese.