Aktakuzë për zhvatje dhe ushtrim të ndikimit

I akuzuari e ka kërcënuar me vrasje një person për ta detyruar atë që t’i sigurojë 30 mijë euro ose një veturë BMW X5, në mënyrë që të ushtrojë ndikim të paligjshëm në komunë për ndryshimin e statusit të një pjese të tokës.

Lajme

31/01/2014 15:32

Një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror i Prokurorisë së Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kanë ngritur një aktakuzë kundër dy qytetarëve të Kosovës.

Të pandehurit akuzohen për zhvatje në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

I akuzuari, ndërmjet muajve korrik dhe shtator 2012, e ka kërcënuar me vrasje një person për ta detyruar atë që t’i sigurojë 30 mijë euro ose një veturë të tipit BMW X5, në mënyrë që të ushtrojë ndikim të paligjshëm në procesin e vendimmarrjes në komunë për ndryshimin e statusit të një pjese të tokës prej “hapësirë e gjelbër” në “hapësirë për ndërtim”.

Hetimet kundër personit të tretë janë ndërprerë më 14 janar 2014.

Rasti është duke u ndjekur penalisht nga një ekip i përbashkët i përbërë prej një prokurori ndërkombëtar dhe një prokurori vendas nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga EULEX.