Aktakuzë për kryetarin e Parteshit për keqpërdorim të autoritetit

Kryetari i Parteshit, Dragan Nikoliq, do të përballet përsëri me akuza për keqpërdorim të autoritetit. Ai kishte larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme katër zyrtarë komunalë. Në aktakuzë është edhe Drejtori i Financave, i cili u ishte bindur urdhrave të Shefit të Komunës. Avokati i Nikoliqit e quan hajgare aktakuzën.

Lajme

03/10/2015 12:48

Dragan Nikoliq, me 23 Mars 2015 sërish i është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës së tij zyrtare. Kësaj here, Nikoliq akuzohet se si kryetar i Komunës me shumicë serbe largoi nga puna katër zyrtarë komunal pa ndonjë bazë ligjore duke e përdorur autoritetin e tij zyrtar.

Ndaj Dragan Nikoliqit, i cili në shkurt të këtij viti u lirua nga akuzat për veprën penale keqpërdorim i besimit duke keqpërdorur detyrën zyrtare, tash Gjykata Themelore e Gjilanit ka ngritur dyshime të reja për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetin zyrtarë” dhe “Cenimi i të drejtës nga marrëdhënia e punës”, raporton Gazeta Express.

Në aktakuzë përfshihet edhe vartësi i tij, drejtori i Financave në këtë Komunë, Dragan Stakoviq, i cili dyshohet se i’u bind urdhrave të kryetarit

Sipas aktakuzës, Nikoliq, dyshohet se në vitin 2014 ka urdhëruar ndërprerjen e kontratave të punës për katër zyrtarë të komunës që ai udhëheq.

Kjo aktakuzë është konfirmuar për Gazetën Express nga përfaqësuesi ligjorë i kryetarit Nikoliq, avokati Rrustem Latifaj. Ky i fundit e quan të pa bazë aktakuzën pasi sipas tij personat që përmenden se janë larguar nga puna, me vonë janë kthyer sërish në vendin e tyre.

“Kjo aktakuzë ma shumë është hajgare”, tha për Gazetën Express, Latifaj.

M.J. me datë 23.05.2014, Z.S. me 08.07.2015, B.J. me 10.02.2015, dhe S.B. me datë 10.02.2014 dyshohet se janë larguar pa baza ligjore dhe pa paralajmërim nga pozitat e tyre zyrtare në Komunën e Parteshit me vendim të kryetarit të saj, Dragan Nikolic. Të njëjtëve dyshohet se nuk iu janë respektuar as afatet ligjore për ankesë.

Për dyshimet e fundit, në të njëjtën aktakuzë Gjykata Themelore e Gjilanit ngarkon si bashkëpunëtorë drejtorin Stakoviq i cili aktualisht është Drejtor i Financave në Partesh, derisa në kohën kur dyshohet se është kryer vepra ai drejtonte Administratën e kësaj komune.