Aktakuzë ndaj Burim Sejdiut për tentim – bashkimi me ISIS

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Burim Sejdiu, për kryerjen në tentativë të veprës penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”. 

Lajme

12/12/2014 17:22

I pandehuri Sejdiu dyshohet se me dashje që t’i bashkohet organizatës terroriste “ISIS”, në luftën në Siri, ka blerë tre bileta të aeroplanit për të udhëtuar në relacionin Prishtinë – Stamboll, me qëllim që nga Stambolli, me autobus, të udhëtoj në qytetin turk Gaziantep, e pastaj personat N.N do ta dërgonin në qytetin Raka të Republikës Arabe të Sirisë, për t’iu bashkuar  luftëtarëve të ISIS-it, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më 1 gusht 2014, rreth orës 11:00, gjatë kontrollit të pasaportave nga ana e Policisë së Kosovës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Policia e Kosovës e ka ndaluar të pandehurin së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tyre.

Ndërmarrja e këtyre veprimeve tregon se dashja e tij për të iu bashkuar organizatës terroriste “ISIS”, ka mbetur në tentativë, për shkak të pengesës që i kanë bërë Policia e Kosovës, që të mos udhëtoj nga Prishtina për në Stamboll.    

Andaj në veprimet e tij manifestohen elementet e veprës penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, në tentativë, nga neni 143 par. 2 lidhur më nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga prokurori vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor i pandehuri, për veprën penale që i vihet në barrë, të shpallet fajtor dhe të gjykohet sipas ligjit.