Aktakuzë e ngatërruar kundër ministrit Fadil Ismajli

Ministrit për Zhvillim Ekonomik, Fadil Ismajlit i duhet të shkojë të premten në Gjykatë për t’u përgjigjur penalisht për një aktakuzë, të cilën Prokuroria është duke e shqyrtuar mundësinë e tërheqjes.

Lajme

18/04/2014 09:29

Aktakuza për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë është ngritur nga prokurorja Besa Limani, pas një kallëzimi penal të Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit (AKK), shkruan “Koha Ditore”.

Qysh në fillim prokurorja e ka akuzuar gabimisht ministrin e Zhvillimit Ekonomik.

Është detyruar që ta përmirësojë aktakuzën pas urdhrit të Gjykatës. Ajo e kishte akuzuar Ismajlin për mosdeklarim fare të pasurisë, derisa kallëzimi penal i AKK-së ishte për deklarim të rrejshëm.

Telashet me drejtësinë në këtë rast Ismajlit duket se i kanë dalë për shkak të pakujdesisë së leximit të formularëve të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit dhe nga prokurorja Limani.

Një lexim i kujdesshëm i formularëve që gjenden në faqen e AKK-së për vitet 2011, 2012, dhe 2013 shihet se një firmë për të cilën akuzohet se nuk e ka deklaruar në vitin 2013 në fakt është shuar në vitin 2012 dhe toka prej 2.162 metrash katrorë është ndarë në mes të aksionarëve, shkruan KD.