Aktakuzë dhe arrestime për krime lufte

Një prokuror special i EULEX’it ka ngritur aktakuzë kundër një personi, për krime të luftës kundër popullatës civile. Ndërsa, dy persona të tjerë janë arrestuar.

Lajme

25/09/2013 16:19

Një prokuror special i EULEX’it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) sot ka ngritur një aktakuzë kundër një personi, i akuzuar për veprën penale krime të luftës kundër popullatës civile. Aktakuza është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mirëpo emri i të pandehurit nuk është bërë i ditur.

Personi i pandehur është akuzuar për pjesëmarrje në një grup për të cilin pretendohet se ka dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e përafërsisht 40 meshkujve civil shqiptarë në Fushë Kosovë, në vitin 1999.

Ndërsa, në një komunikatë tjetër EULEX thotë se policia e këtij misioni nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës (NJHKL) ka arrestuar dy persona të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile, dhe që kishin lidhje me dhunimin dhe keqtrajtimin e dy femrave shqiptare të Kosovës gjatë periudhës së luftës.

Të dyshuarit do të paraqiten para gjyqtarit të EULEX’it në Gjykatën Themelore në  Mitrovicë.

Rastet në fjalë janë duke u hetuar nga një prokuror i posaçëm i EULEX’it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).