Aktakuza të profilit të lartë

Kryeprokurori i Task Forcës që po i heton pretendimet e raportit të Dick Martyt, Clint Williamson, i cili ka qëndruar të hënën në Prishtinë, në vizitën e tij të fundit si hetues, në fillim të javës së ardhshme,  nëpërmjet një qëndrimi publik, do të tregojë për përmbylljen e hetimeve trevjeçare dhe për të gjeturat e këtij procesi.

Lajme

22/07/2014 09:20

Prokurori Williamson nuk do të publikojë emra të të akuzuarve të mundshëm e as rastet e krimeve, për të cilat pretendon se ka prova dhe mund të ngritë aktakuza që do të shqyrtoheshin nga Gjykata Speciale.

Megjithatë, pritet që të tregojë për natyrën e krimeve, dhe kësisoj do të mësohet publikisht nëse akuza më e përfolur në media e Dick Martyt, ajo për trafikim të organeve ka qenë e bazuar apo jo.

Pos presidentes së vendit Atifete Jahjaga dhe tre ministrave të qeverisë në shkuarje, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Williamson ka takuar edhe përfaqësues ndërkombëtarë në vend.

Në asnjë takim, kryeprokurori nuk ka folur për detaje të hetimeve të tij.

Ai, sipas burimeve të gazetës Tribuna, është munduar që vizitën ta paraqes si akt falënderimi ndaj bashkëpunimit që kanë treguar institucionet e Kosovës gjatë hetimeve.

“Megjithatë, pritet që javën tjetër Williamson të tregojë për natyrën e krimeve për të cilat do të akuzohen persona të profilit të lartë, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. 

Hetimet e Williamson bazohen në akuzat e mbledhura në raportin e ish senatorit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty, i cili pretendon se ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë krime lufte, përfshi edhe trafikim organesh të disa serbëve të zënë rob gjatë luftës.

Këto akuza janë hetuar edhe në të kaluarën nga gjykata vendore e ndërkombëtare, përfshi edhe OKB-në, por nuk janë vërtetuar, ndërsa Prishtina zyrtare i ka quajtur si trillime të kuzhinave të Beogradit dhe qarqeve proserbë, me qëllim zbehjen e imazhit të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Megjithëkëtë, institucionet e Kosovës kanë ofruar bashkëpunim të plotë me organet e hetuesisë për të zbardhur të vërtetën, duke potencuar se këto akuza nuk bëhen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe as luftës së saj për liri, por ndaj disa individëve që pretendohet se kanë kryer krime lufte.