Aktakuza shpjegon rrahjen në oborrin e stacionit policor pas aksidentit në trafik

Në gjykimin e Mirsad Manxhukës, i cili po akuzohet për veprën penale të sulmit, seanca e paraparë për sot u shty për më 28 shtator.

Lajme

05/09/2018 23:46

Shkak i mosmbajtjes së seancës ishte mosprania e të dëmtuarit Haxhi Hykosmani.

Gjyqtarja e rastit Ilirjana Hoti tha se për seancën e radhës Hykosmani duhet të shoqërohet me detyrim nga Policia.

Haxhi Hykosmani ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit të kaluar, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, me automjet në trafik i dëmtuari goditet nga një automjet tjetër, të cilin e drejtonte këtu i akuzuari Mirsad Manxhuka.

Aktakuza shpjegon se këtu i dëmtuari Haxhi i kërkon të akuzuarit Mirsad dokumentin identifikues, ndërsa i akuzuari i revoltuar reagon duke e kapur për fyti të dëmtuarin, i cili pas shmangies së sulmit niset për të raportuar rastin në stacionin policor.

Këtu i akuzuari Mirsad e ndjek dhe sërish e sulmon fizikisht në oborrin e stacionit policor, e në ndërkohë ndërhyjnë zyrtarët policorë duke e vënë situatën nën kontroll, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Gjakovës.

Me këto veprime dyshohet që Mirsad Manxhuka të ketë kryer veprën penale të sulmit.