Aksion pastrimi në Merdare, Let’s Do It Kosova ju bën thirrje vullnetarëve që të bashkohen

Pika në Merdare ka disa muaj që është vendkalimi kufitar ku mërgimtarët presin me orë të tëra. Një hapësirë e gjelbëruar, e ngulfatur nga mbeturinat e shumta që janë hedhur aty është pamja e fundit që ata shohin kur largohen nga Kosova.

Lajme

01/09/2018 19:01

Këto fotografi të kësaj hapësire të gjelbëruar, të mbushur me mbeturina janë realizuar pikërisht në vendkalimin kufitar në Merdarë. Aty ku shihen edhe kolonat e veturave të mërgimtarëve që presin në radhë për t’u larguar nga Kosova.

Gjendja e rëndë e kësaj hapësire shtyri Let’s Do It Kosovën që nesër (e diel), duke filluar nga ora 11:00, të organizojë aksion pastrimi në këtë zonë.

Në aksion do të marrin pjesë dhjetëra vullnetarë të Let’s Do It Kosova, transportin e të cilëve e ka siguruar Kompania e Autobusëve “Dita”.

Let’s Do It Kosovës për aksionin e nesërm në ndihmë i doli edhe Kompania “Natyra”, e cila përvec makinerisë, ka shprehur gatishmërinë që të gjithë punëtorët e tyre t’i bashkohen aksionit të nesërm në Merdarë.

Përmes kësaj komunikate, Let’s Do It Kosova ju bën thirrje të gjithë vullnetarëve që t’i bashkohen këtij aksioni për largimin e mbeturinave nga kjo pikë kufitare.

Pika kufitare në Merdarë ishte pastruar nga vullnetarët e Let’s Do It Kosovës vetëm disa muaj më parë, në kuadër të aktiviteteve që ishin mbajtur për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Aksioni i nesërm i paraprin fushatës së madhe që është nisur për pastrimin e Kosovës nga mbeturina, me c’rast është themeluar edhe Task Forcë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Më 15 shtator në Kosovë do të shënohet Dita e Pastrimit të Botës, i cili organizohet në afro 200 vende të tjera.