Aksidenti në Francë; pesë ditë për identifikimin e viktimave

Ekipeve të mjekësisë ligjore do të ju nevojiten të paktën pesë ditë të konfirmojnë identitetet e 43 personave të vrarë në aksidentin rrugor në qytetin Libourne, në afërsi të Bordeaux, në jugperëndim të Francës.

Bota

24/10/2015 18:28

Mjekët ligjorë filluan sot me identifikimin e të vrarëve, por siç thekson zyrtari i xhandarmërisë së qarkut Gironde, Patrick Touron, do të ju nevojiten të paktën pesë ditë për të konfirmuar identitetet e viktimave të aksidentit. Ai shtoi se për arsye sigurie, kjo pjesë e autostradës do të jetë e mbyllur për trafikun në tre ditët e ardhshme.

Prokurori shtetëror nga Libourne, Christophe Auger, në konferencën për mediat vuri në dukje se pasagjerët nga vende të ndryshme kanë qenë në autobus dhe se për këtë arsye nuk mund të konfirmohet saktësisht numri i personave që ishin në autobus në momentin e fatkeqësisë.

Auger theksoi se gjatë hetimit në rradhë të parë do të punojnë në identifikimin e viktimave si dhe në dorëzimin e trupave të afërmve të tyre.

Krahas kësaj, ai shtoi se tetë persona janë plagosur dhe se dy prej tyre janë në gjendje kritike.

Aksidenti ka ndodhur pasi që autobusi me pasagjerë u përplas me një kamion në mëngjesin e së premtes.

Siç theksohet, shumica e të vdekurve në përplasjen direkte ishin persona të moshuar.

Sipas autoriteteve franceze, bëhet fjalë për numrin më të madh të viktimave që nga viti 1982, kur në aksidentin rrugor në Beauneu në lindje të Francës humbën jetën 53 persona. /AA