Aksidenti me dy të vdekur, kamioni i “Bechtel-Enka”-s po qarkullonte pa leje

Dy persona vdiqën si pasojë e një aksidenti i cili kishte ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar në fshatin Krushë e Vogël, mes kamionit të kompanisë “Bechtel- Enka” dhe një veture.

Lajme

01/11/2018 20:15

Për këtë aksident ku vdiqën dy personat të cilët ishin në veturë, po akuzohet shoferi i kamionit të “Bechtel- Enka”, Driton Asani nga fshati Sojevë i Ferizajt.

Asani për Kallxo.com ka treguar se me kamionin të cilin e voziste asnjëherë nuk ka dalë në komunikacion pa përcjelljen e eskortës se kompanisë.

“Unë e kam vozitë një kamion të madh në “Bechtel- Enka”, me standarde jonormale. Kur jam pranuar në fillim më kanë thënë se ti pa përcjellje të “Bechtel- Enka”-s nuk guxon me dalë në rrugë, ma kanë ofruar një eskortë, djali në eskortë e ka pasur emrin Ahmet Krasniqi”, tregon Asani.

Asani ka rrëfyer për përvojën e tij të mëhershme në rrugën ku ndodhi aksidenti me fatalitet.

“Pas një kohe na kanë thënë të shkojmë në Krushë të Vogël te një fabrikë për të bartur një makinë për asfalt. Aty kam shkuar tri-katër herë. Kur kam shkuar herën e fundit më pengoi një shtyllë me u kthy në anën e majtë dhe më është dashur me shkoj 200 metra në një arë me hy me u kthy, aty u dashke me hy me kry të kamionit edhe me dal për mbrapa, por kur shkonim Ahmeti më siguronte rrugën dhe dilnim”, tregon Asani.

Asani ka rrëfyer  edhe për ditën kritike, ku mbetën të vdekur dy persona.

“Në herën e katër, në momentin kritik, kur kemi shkuar, jemi hy në arën aty, Ahmeti u pozicionua në vendin e vetë dhe tu dal mbrapa, ka ardhur një veturë prej drejtimit të eskortës dhe është goditur në kamion, për fat të keq janë mbytur dy djem. Në momentin që janë godit kam bërtit: Ahmet çka më bane, qysh i lëshove. Ai më ka thënë Driton jua qita STOP-in  po nuk u ndalen”, rrëfen Asani.

Ai thotë se pas këtij aksidenti, kamionët e kompanisë “Bechtel- Enka” gjithmonë qarkullojnë me përcjelljen e policisë.

“Pasi kam hyrë në burg kolegët e punës vijnë dhe më vizitojnë dhe më thonë Driton njërën anë na vjen keq prej atyre djemve, po ti neve na ke kurtalis se tash vetëm me polici po dalim në rrugë se u prit mu bo e madhe për me dal me polici non-stop”, rrëfen Asani

Asani ka treguar për një rast kur policia ka larguar nga qarkullimi  kamionin në fjalë, në mungesë të dokumentacionit përkatës.

“Një komandant i trafikut në Fushë- Kosovë më ka ndaluar dhe më ka kërkuar dokumentet, dhe të parën pyetje që ma ka bërë më ka thënë a e din se ky kamion nuk guxon të dal pa përcjelljen e policisë i zbrazur, e lëre më me ngarkesë”, tregon Asani.

Në një intervistë për Kallxo.com, ish komandanti i njësitit për kontroll të autostradave, Shkelzen Xhafa ka treguar se si të njëjtin kamion e ka larguar nga qarkullimi për shkak të mungesës së aktvendimit nga Ministria e Infrastrukturës për të dal në qarkullim.

“Po, është e vërtetë, njëra nga rastet që ne kemi larguar nga komunikacioni është edhe ky rast i kamionit të “Bechtel- Enka”, i cili ka tejkaluar gjerësinë dhe peshën. Këto dyja janë si elemente kryesore të cilat nuk mund të qarkullojnë në rrugët e Kosovës, nëse kompania në fjalë nuk marrin leje të veçantë për leje të veçantë për transport të mjeteve të veçanta nga Ministria e Infrastrukturës”, tregon Xhafa.

Ai po ashtu ka treguar se asnjë pronar i kompanisë nuk ka të drejtë të lejoj të dal në qarkullim një kamion i cili është jashtë përmasave që lejohen në bazë të ligjit, dhe pa përcjelljen e policisë, pasi  në të kundërtën largohet nga komunikacioni.

“Në bazë të ligjit, çdo kush që dëshiron të vozisë mjete të cilat i tejkalojnë përmasat apo e tejkalojnë peshën,  gjerësinë apo gjatësinë duhet që para se të qarkulloj në rrugë të marr një leje ose një vendim  nga Ministria e cila lëshon vendim se ky mjet mund të qarkulloj përgjatë kësaj rruge në këtë kohë”, tregon Xhafa.

Edhe në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës thuhet se automjetet të cilat i tejkalojnë përmasat, duke përfshirë gjerësinë dhe peshën duhet të marrin leje të veçantë, leje të cilën ditën kur ndodhi aksidenti me pasojë dy të vdekur, sipas shoferit të kamionit, kompania  Bechtel – Enka nuk e posedonte.

“Po duhet të marrin leje të veçantë – Aktvendim për transport të jashtëzakonshëm të gjitha automjetet  transportuese që i tejkalojnë përmasat e lejuara sipas udhëzimit administrativ për transport të jashtëzakonshëm: gjatësinë, gjerësinë, lartësinë dhe peshën”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ministria po ashtu ka njoftuar edhe për rastet kur këto automjete kanë të drejtë të dalin pa përcjelljen e policisë.

“Po lejohen të dalin pa përcjelljen e policisë  vetëm kur kanë këto përmasa: gjatësia deri 25,00 metra, gjerësia 3.50 metra, lartësia deri 4.50 metra, dhe pesha deri 80 ton, deri në këto përmasa përcjellja bëhet nga kompanitë të cilat i plotësojnë kushtet për  ta bërë  përcjelljen për  transporte të jashtëzakonshëm. Mbi këto përmasa është e obligueshme edhe përcjellja e Policisë së Republikës së Kosovës se bashku me kompanitë që i plotësojnë kushte për përcjelljen e transportit të jashtëzakonshëm, siç janë drita rotative me ngjyrë të verdhë,  si dhe tabela me mbishkrim “Transporti i Jashtëzakonshëm” dhe të regjistruar në Republikën e Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se rreth këtij rasti ndaj të pandehurit  Driton Asani është ndryshuar masa e paraburgimit, dhe e njëjta është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak, ndërsa Ahmet Krasniqi në këtë rast është dëshmitar.

Kallxo.com  ka tentuar të marr një përgjigje nga kompania “Bechtel- Enka” se pse kamioni nuk ka qenë i pajisur me aktvendim për qarkullim nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin.

Edhe pyetja e Kallxo.com ka qenë lidhur me faktin se kamioni i “Bechtel-Enkas” po qarkullonte pa leje përkatëse dhe jo për procesin gjyqësor, ja çfarë thuhet në një pë4rgjigje të shkurtër të tyre:

“Bechtel Enka” nuk komenton raste gjyqësore të cilat janë në procedurë të organeve kompetente”, thuhet në përgjigjen e “Bechtel- Enka”.