Aksident në Serbi, lëndohen rëndë dy mërgimtarë nga Zvicra

Aksidenti ndodhi në pjesën e autostradës nga drejtimi i Beogradit, në afërsi të urës Beshçan, pak para orës 07.00, kur vetura me udhëtarë me autotarga të huaja, nga shkaqe ende të panjohura ka dalë nga rruga.

Lajme

14/08/2018 13:10

Sipas informatave të Dr. Mirjana Bursac, zëdhënëse e Shërbimit emergjent në Novi Sad, në vendngjarje kanë humbur jetën një femër (22) dhe një person tjetër 60-vjeçar.

“Një grua pesëdhjetetetëvjeçare dhe një burrë (24) kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në Qendrën emergjente në Novi Sad”, ka deklaruar Dr. Bursac, duke nënvizuar se ekipi i emergjencës ishte alarmuar në orën 06:45.

Shërbimi Informativ i emergjencës ka pohuar se dy personat e lënduar nuk janë në rrezik për jetë, shkruajnë mediat serbe, përcjell Albinfo.ch.

Sipas informatave jozyrtare të gazetës “Novosti” , vetura me autotarga të Zvicrës ka lëvizur me shpejtësi të madhe nga ana e majtë e rrugës, duke goditur barrierën e saj.

Sipas portalit “Medial”, bëhet fjalë për një familje nga fshati Kalishtë i Strugës që pas pushimeve po kthehej në mërgim, me ç’rast dy persona kanë humbur jetën.

Disa portale lokale në Strugë kanë shkruar se familja po udhëtonte në Austri, derisa mediat serbe theksuan se makina e aksidentuar ishte me targa të Zvicrës.