Aksident i rëndë në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik, lëndohen katër persona /FOTO

Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur sot pasdite në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik.

Lajme

31/05/2018 19:59

Nga fotografia që ka siguruar lajmi.net shihet përplasja e rëndë e dy automjeteve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë për lajmi.net se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar rëndë katër persona.

“Aksidenti ka ndodhur para një ore, në orën 18:30, në magjistralen Ferizaj-Shkup në vendin e quajtur ‘Guri i Shpuar’ në afërsi të Kaçanikut. Të përfshira janë dy vetura ndërsa katër persona janë të lënduar të cilëve iu ka dhënë ndihma e parë ne Ambulanten e Kaçanikut. Policia është në vendin e ngjarjes”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i policisë Rajonale të Ferizajt, Agim Gashi.

Në këtë rrugë vazhdimisht janë shkaktuar aksidente të rënda. Të kujtojmë se në këtë pjesë janë rrokullisur edhe dy policët e Kosovës të cilët tragjikisht humbën jetën duke rënë në lumin Lepenc. /Lajmi.net/