AKR-ja mund ta mbështesë PAN-in

Aleanca Kosova e Re (AKR), e cila ka arritur t’i sigurojë katër deputetë në listën e përbashkët me LDK-në e Alternativën, ka një rol tejet të rëndësishëm për koalicionin LAA.

Lajme

30/06/2017 08:36

Po ashtu roli i këtij subjekti nuk zbehet edhe nëse kalon te koalicioni më i madh PAN, pasi që katër deputetët e kësaj partie ndihmojnë në sigurimin e votave të nevojshme për bërjen e Qeverisë.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë që deputetët e këtij subjekti të dalin individualisht në mbështetje të PAN-it dhe ta votojnë Qeverinë. Nga ana tjetër, përfaqësues të AKR-së thonë se ky subjekt do të vendosë se kah do të shkojë tek pas mbledhjeve që do të mbahen tash pas rezultateve zyrtare, shkruan “Zeri”.

Kandidatja për deputete e AKR-së, Myzejene Selmani, ka thënë se për fatin e AKR-së do të vendoset pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

“Momentalisht duhet të priten rezultatet e KQZ-së e mandej vendoset kush kah po shkon. E gjithë esenca është që ne t’i kemi rezultatet, mandej mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues, mbledhja e Kryesisë dhe atëherë organet e Kryesisë dalin me vendim”, ka deklaruar ajo për “Zërin” pak para se të dalin rezultatet zyrtare.

Nga ana tjetër, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se bërja e shpejtë e koalicioneve parazgjedhore sjell rrezikun që ato të mos qëndrojnë pas zgjedhjeve.