AKP po i çon drejt grevës së urisë

Ish-punëtorët e fabrikës së Tubave, të cilët po mbajnë grevë në një tendë të ngritur pranë Kryeministrisë,  vazhdojnë të akuzojnë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) se po shkel ligjet e Kosovës, duke mos shpërndarë mjetet për ta nga privatizimi i fabrikës ku dikur kanë punuar. 

Lajme

04/06/2014 11:16

Te indinjuar me mos shpërndarjen e mjeteve nga AKP, ish- punëtorët e fabrikës së  Tubave nga Ferizaj, kanë paralajmëruar me ashpërsim  të grevës nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ali Shabani, kryesueses i Këshillit Grevistë, i cili së bashku me mbi 40 kolegë të tij kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës, në një prononcim për lajmi.net, tha se AKP-ja ka dal mbi ligjet e Kosovës.

Ai  tha se AKP-ja deri më tani vazhdimisht është arsyetuar se nuk ka bazë ligjore për shpërndarje të mjeteve, por sipas tij, tash kur mundet ta bëjë një gjë të tillë, kjo agjenci nuk po vepron.

“AKP, duke pas parasysh se  i mungonte bordi i kompletuar, ia dërgoi Odës së Veçantë një kërkesë për  udhëzim për mënyrën e ekzekutimit të akt gjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Te premten e kaluar Oda e Veçantë e dha atë verdikt dhe e udhëzoi AKP-në, që është ligjërisht e autorizuar, të bëjë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. E tash hezitojnë, që do të thotë se AKP kanë dal mbi ligjin, mbi Kushtetutën dhe mbi shtetin” .

Shabani ka thënë se grevistët do të qëndrojnë në tendë deri sa të shlyhet ky borxh, sepse sipas tij  marrëveshja është thyer, vendimi i Kuvendit të Kosovës është thyer dhe nuk kanë besim të askush.

“Grevistët do të qëndroj këtu dhe është opsion edhe greva e urisë. Me këtë sjellje të AKP-së nuk kemi tjetër rrugëdalje. Para grevës së urisë do të kërkojmë solidarizim mbarëpopullor, jo pse ne duhet t’i marrim paratë që na takojnë, por se në Kosovës po mungon sundimi i ligjit, po shkelet Kushtetuat dhe po shkelen vendimet e Kuvendit të Kosovës” , tha Shabani për lajmi.net.

Prej nëntë ditësh grevistët nuk janë vizituar nga askush nga niveli qendror, por janë vizituar nga Avokati i Popullit, Kreu i KMLDNJ-së, dhe Kryetari i Ferizajt.

Në anën tjetër, Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, tha për lajmi.net se ata kanë marrë një udhëzim nga Dhoma e Posaçme, dhe janë në shqyrtim të tij.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrjeje kanë pranuar një udhëzim nga Dhoma e Posaçme dhe janë duke e shqyrtuar atë. Agjencia do të njoftoj palët relevante për veprimet e mëtutjeshme”, tha Kaloshi.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës me 19 mars kishte marrë një vendimi  cili e obligon Agjencinë Kosovarë të Privatizimit për të bërë ekzekutimi e  aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, për shpërndarjen  e mjeteve në vlerë mbi 25 milion euro për ish-punëtorët e fabrikës së Tubave nga Ferizaj.