AKP pezullon hapjen e ofertave për privatizim të valës së 60-të

Agjencia Kosovare e Privatizimit, ashtu si kishte paralajmëruar kohë më parë, sot ka pranuar edhe ofertat për ndërmarrjet e reja në privatizim dhe për asetet e ndërmarrjeve shoqërore në likuidim. 

Lajme

10/06/2014 17:41

Përderisa pranimi i ofertave u shoqërua vetëm me dhunë verbale nga një grup banorësh të Bubavecit, fatkeqësisht hapja e ofertave u ndalua dhunshëm nga po ky grup me pretendimet e tyre të paqëndrueshme dhe të pabazuara lidhur me një aset të vetëm, nga 65 tërësisht, sa ishin ofruar për transformim.

Të brengosur për sigurinë e stafit, për sigurinë e ofertuesve të tjerë dhe për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës së procesit, AKP vendosi të pezullojë procesin e hapjes së ofertave për të gjitha shitjet e parapara të mbahen sot, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Ofertat e pranuara për valën e 60-të të privatizimit dhe shitjen e aseteve përmes likuidimit nr. 26, nën përcjellje të Policisë së Kosovës janë duke u mbajtur të bllokuara, ndërsa Agjencia do të ftojë secilin ofertues veç e veç dhe do t’ia kthejë atyre ofertat.

Për vendimin e radhës për përsëritjen e kësaj shitjeje Agjencia do të njoftojë me kohë  opinionin.