AKP ndërprenë valën e 60-të të privatizimit

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka marr vendim që të shtyhet të procesi i valës së 60 të privatizimit dhe shitjes së aseteve për mes likuidimit, pas incidentit që ka ndodhur të martën.

Lajme

11/06/2014 13:50

Përmes një komunikate të lëshuar për media AKP, dënon sulmin që është bërë ndaj stafit të AKP-së. Po ashtu AKP, fton palët të cilat pretendojnë se kanë të drejtë në prona t’i drejtohen organeve kompetente.

“Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP),dënon ashpër dhunën e ushtruar dje ndaj stafit të AKP-së dhe ofertuesve, gjatë ceremonisë publike të hapjes së ofertave për valën e 60 të privatizimit si dhe valës së 26 të shitjeve të aseteve në likuidim”.

“Të brengosur për sigurinë e stafit, për sigurinë e ofertuesve të tjerë dhe për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës publike të procesit, AKP vendosi të shtyj dhe të përsërisë tërë procesin e valës së 60-të të privatizimit si dhe të valës së 26-të të shitjeve të aseteve përmes likuidimit. Për datën e shpalljes së re të kësaj shitje do të njoftohet opinioni publik së shpejti”.

“Ftohen të gjitha palët, të cilat kanë çfarëdo pretendimi pronësor apo kreditor që këto çështje t’i adresojnë në institucionin relevant, apo në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila gjykatë është e themeluar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës me mandatin për shqyrtim të çështjeve të ndërlidhura me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”. 

“AKP shpreh keqardhje për incidentin e ndodhur dhe falënderon ofertuesit e ndërgjegjshëm, stafin e Agjencisë dhe organet e rendit për përkrahjen e dhënë. Njëherit, AKP e riafirmon përkushtimin për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore dhe organizative si deri më tani, për mbarëvajtjen e procesit të privatizimit në mënyrë të hapur, konkurrues dhe transparent”, thuhet në komunikatën e AKP-së.