AKP miratoi Strategjinë Përmbyllëse për procesin e  privatizimit

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur mbledhjen e radhës ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend.

Lajme

07/04/2017 13:43

Sipas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Bordi në këtë mbledhje miratoi Strategjinë Përmbyllëse për procesin e  privatizimit/likuidimit të NSH-ve

Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve miratoi shpalljen e Shitjes së Aseteve përmes Likuidimit 32. Veç kësaj, Bordi miratoi edhe transaksionet e Shitjes së Aseteve përmes Likuidimit 30, ku hapja  e ofertave ishte mbajtur më datë 22 mars 2017.

Sa i përket Trepçës, Bordi diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit të Trepçës, i cili pritet të finalizohet gjatë muajit vijues, dhe i cili do të sqarojë një sërë çështjesh si dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën.

Bordi po ashtu miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) për vitet 2018-2020, si dhe Udhëzuesin dhe pagesat për tatimin në pronë të Ndërmarrjeve në likuidim.

Bordi miratoi edhe vendosjen nën masë të administrimit direkt për NSH Iliria në Pejë, si dhe shqyrtoi raportin përfundimtar për KB “Agrokultura” me seli në Ferizaj, i cili do t’i dorëzohet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për vendim mbi mbylljen e likuidimit të kësaj NSH-je. Pikë të rendit të ditës përbënte edhe vlerësimi i komisionit për çmimet e disa qiradhënieve direkte, të cilin Bordi e miratoi. Për më tepër Bordi miratoi rezultatet e ofertimit nga qiradhënia e disa aseteve përmes shpalljes publike të datës 03.02.2017.

Në vazhdën e përmirësimit të administrimit të aseteve të NSh-ve, Bordi shqyrtoi planimetrinë e re të Pallatit të Rinisë, pra strukturën e re të lokaleve, e cila pas shqyrtimit nga ana e Bordit të Drejtorëve u miratua dhe rrjedhimisht me të edhe u bënë ndryshime të rëndësishme në qiradhëniet në Pallat. Si rrjedhojë e kësaj, u mundësua edhe sjellja e brendit botërorë KFC (Kentacky Fried Chicken) si qiramarrës në Pallat, dhe amadamentimi i qiradhënies aktuale me American School of Kosova.

Bordi poashtu miratoi raportin e Komisionit të Banesave të NSH-ve i cili përbëhej nga gjithsejtë 16 kërkesa të shqyrtuara.

Në këtë mbledhje poashtu u miratua propozimi për përmbushje të vendimit administrativ për bartje të pronës nga KB “Kooperimi” te Kisha Ortodokse Serbe Gorazhdec.

Ndër të tjera, Bordi diskutoi disa çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e përditshme të Agjencisë, siç është fillimi i procedurave të vlerësimit të performancës së Menaxhmentit për vitin 2016, ku edhe formoi një komision nga anëtarët e Bordit siç parashihet me ligj dhe rregulloret relevante në fuqi.