AKP kërkon shtyrjen e afatit për dorëzimin e Planit për Trepçën

Bordi i Drejtorëve të AKP-së e autorizoi Menaxhmentin e AKP-sё që të parashtrojë kërkesë nё Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për shtyrjen e afatit për dorëzimin e Planit të Riorganizimit tё kësaj ndërmarrje.

Lajme

01/07/2014 17:58

Bordi i AKP-së shqyrtoi dhe miratoi në parim kërkesën e Menaxhmentit të “Trepça – Ndërmarrje nën Administrim të AKP-së” për riaktivizim të prodhimit nё Fabrikën e Oksidit të Zinkut. Me riaktivizimin e kësaj fabrike pritet të aktivizohen në procesin e prodhimit mbi 60 punëtorë, ndërsa prodhimet e saj janë të dedikuara për shitje në tregun ndërkombëtar, thuhet në njoftimin e AKP0-së.

Bordi i Drejtorëve gjatë këtij takimi shprehu shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në ndërmarrjen e privatizuar përmes likuidimit “Llamkos”, për të cilën ndërmarrje AKP do të imponojë ndëshkime financiare. Agjencia po ndërmerr të gjitha veprimet ligjore me qëllim të respektimit të kontratës së shitblerjes në këtë ndërmarrje.

Progres i theksuar u shënua me shqyrtimin dhe aprovimin e raportit të radhës të Komisionit për shitjen e banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore, me gjithsej 50 kërkesa të shqyrtuara dhe të aprovuara për shitje personave me të drejtë banimi, ndërkaq po në këtë mbledhje Bordi aprovoi edhe Rregulloren e Pagave për nëpunësit e Agjencisë, Rregulloren e Personelit për nëpunësit e Agjencisë, si dhe Rregulloren e Përdorimit të Veturave Zyrtare të Agjencisë.

Sipas komunikatës, Bordi diskutoi dhe aprovoi një listë prej gjithsej 15 ndërmarrjeve për futje në procesin e likuidimit, duke shprehur përkushtimin për përmbylljen sa më të shpejtë të likuidimeve të ndërmarrjeve shoqërore që janë në proces e sipër.