AKP-ja nuk di sa prona të uzurpuara i janë kthyer nën menaxhim

Nuk është vetëm “Kosova Petroli”, kompania që për shumë vite ka uzurpuar pronat, të cilat duhet të ishin në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Lista e pronave të uzurpuara arrin në 1,150 sosh. 

Lajme

23/06/2014 20:49

Si raporton KTV-ja për një pjesë të këtyre pronave të uzurpuara janë ngritur padi nga ana e AKP-së.

“AKP-ja ka ngritur rreth 570 padi për uzurpim dhe lirim të atyre pronave. Numri total i aseteve të uzurpuara (1,150) përfshin paditë e ngritura, uzurpuesit e panjohur, rastet kur pala ka filluar të paguajë borxhin, por ende nuk është përfunduar totalisht, uzurpimet në pjesën veriore të Mitrovicës, rastet me mungesë të dokumentacionit, familjet e zhvendosura, pronat të cilat janë rrugë publike, si dhe asetet në shfrytëzim nga ministritë, komunat etj. Pronat përfshijnë toka dhe objekte ose pjesë të tyre”, ka thënë AKP-ja përmes postës elektronike.

Sipas tyre, komuna që më së shumti prin në këtë listë është kryeqyteti, me 280 prona, po që deri në përfundim të proceseve gjyqësore ajo nuk e di se sa është dëmi që i është shkaktuar asaj nga shfrytëzimi i pronave.

Megjithatë, kjo agjenci nuk ka mundur të japë numrin e saktë të pronave që ajo ka arritur t’i kthejë nën përgjegjësi të saj.

“AKP-ja ka shumë raste të pronave, të cilat i ka shitur me uzurpatorë dhe të njëjtat informata i ka shpalosur në mënyrë transparente për të gjithë investitorët potencialë, gjatë procesit të privatizimit/likuidimit të tyre. Megjithatë, të gjitha këto prona do të shiten nga AKP-ja, sipas valëve të radhës dhe mundësive pronësore-juridike dhe kadastrale”, shkruan në përgjigjen e saj AKP-ja.

Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Ibrahim Rexhepi ka shprehur habinë se si kjo agjenci deri tash nuk ka vepruar për t’i marrë këto prona, si dhe ka kërkuar nga gjykata që të nisë hetimet ndaj AKP-së, për shkak të moskthimit të këtyre pronave nën përgjegjësi të saj, ashtu siç parashihet edhe me Ligjin mbi AKP-në, raporton KTV.