AKP-ja në prag të bllokimit

Nga një shtatori i këtij viti, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) do të jetë në bllokadë të plotë, pasi që dy anëtarëve ndërkombëtarë të Bordit u skadon mandati. Me këtë rast Bordi i AKP-së mbetet vetëm me tre anëtarë vendorë e që është numër i pamjaftueshëm për t pasur kuorum. 

Lajme

25/08/2014 11:08

Në maj të vitit të kaluar, Bernadette Roberts, përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së në Bordin e Drejtorëve të AKP-së, e pakënaqur me mënyrën e privatizimit, pati dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita që kishte mbajtur për një kohë.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë se Bordi në mbledhjen e radhës që është parashikuar të mbahet me datën 26 gusht 2014, do të mbajë takim në përbërjen e tanishme.

Ndërsa më datë 31 gusht, sipas tij, dy drejtorëve ndërkombëtarë u skadon mandati, ndërsa Bordi mbetet me tre drejtorë nga stafi vendor, që është numër i pamjaftueshëm për të pasur kuorum për marrje të vendimeve.

Kaloshi ka thënë se sipas Nenit 15 të Ligjit të AKP-së, Bordi i Drejtorëve ka përgjegjësi të përgjithshme për aktivitetet e Agjencisë.

Sipas tij, Bordi vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, vendos për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa e 20% për punëtorët e NSh-ve, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të NSh-ve, pastaj për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës e shumë vendime të tjera të rëndësishme.

Në këtë situatë, AKP praktikisht ngelet e paralizuar në vazhdimin e punës së saj. (Zëri)