AKP-ja merr nën administrim Pallatin e Rinisë

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e 72-të, ku diskutoi për ndërmarrjen Pallati i Rinisë nën administrimin e AKP-së dhe duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në këtë ndërmarrje në raport me palët paditëse dhe çështje tjera, dhe me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të saj vendosi për futjen e kësaj ndërmarrje nën administrim direkt nga Agjencia.

Lajme

29/02/2016 17:29

Kjo agjenci njoftoi po ashtu se Bordi ka diskutuar edhe rastet e uzurpimeve të pronave të ndërmarrjeve shoqërore, për çka Agjencia javën e shkuar kishte publikuar listat me uzurpatorët e mëparshëm dhe ata aktual, ndërkaq u zotua se do të vazhdojë rritjen e transparencës me publikimin edhe të informacioneve të tjera për privatizimet e realizuara deri më tani dhe shfrytëzimin e pronave tjera të NSH-ve.

“Bordi u informua edhe për zhvillimet e fundit në lidhje me ndërmarrjen “Trepça” nën administrimin e AKP-së, ndërkaq diskutoi për proceset që po zhvillohen për sa i përket planit të ristrukturimit për këtë për çka Agjencia po punon ngushtë me institucionet qendrore”.

Sa u përket kërkesave të Komunave për qiramarrje të aseteve të NSH-ve, AKP njofton se Bordi u pajtua që për kërkesat e ngjashme të diskutohet në një takim me Asociacionin e Komunave dhe këto kërkesa të adresohen në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës ashtu siç parashihet me procedura ligjore për këto raste.

“Bordi i drejtorëve u informua edhe lidhur me kërkesat e kreditorëve për kompensimin e pagave të papaguara dhe më tutje kërkoi që të shqyrtohen mundësitë e përshpejtimit të procedurave për kryerjen e pagesave të mbetura dhe në këtë vazhdë planifikon që të mbajë një takim me DHPGJS për të shqyrtuar mundësitë teknike  në përshpejtimin e lëndëve të NSH-ve”.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi shqyrtoi dhe aprovoi kërkesën e Qeverisë së Kosovës për dhënie me qira të një aseti të ndërmarrjes “Trepça” në veri për shfrytëzim nga administrata e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhje diskutoi dhe miratoi edhe raportet e Komisionit për Përcaktimin e Statusit të disa ndërmarrjeve apo aseteve të ndërmarrjeve. /lajmi.net