AKP-ja merr kontrollin mbi disa prona në Shtërpcë, alarmohet Beogradi

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovë e Metohi, pranë Qeverisë së Serbisë, ka njoftuar të hënën se punëtorë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë futur në hotelin Junior, në komunën e Shtërpcës, kanë vendosur rojet e veta dhe kanë marrë kontrollin mbi hotel.

Lajme

16/06/2014 19:46

Sipas njohurive të kësaj zyre, AKP-ja ka marrë më herët vendim për likuidimin e hotelit Junior dhe masat e sotme janë marrë me qëllim të shitjes së mëvonshme të këtij hoteli.  

Sipas gazetës Blic të Beogradit, hoteli nga viti 2001 është shfrytëzuar si qendër kolektive “për familjet serbe të cilat janë dëbuar në vitin 1999”, kurse pronar i hotelit është Fondi republikan për sigurim pensional-invalidor, me kontratën e lidhur në vitin 2001 për kalimin e tij në administrim të Komisariatit për refugjatë dhe migrantë.  

\”Momentalisht në këtë hotel janë 85 persona të zhvendosur më herët nga Ferizaj dhe Prizreni, për të cilët ky është strehimi i vetëm dhe të cilëve u kanoset katastrofa humanitare\”, thuhet në kumtesën e Zyrës serbe.

Sipas informatave të kësaj zyre, “AKP-ja ka marrë kontrollin edhe mbi objektin e ish kooperativës së Shtërpcës, po ashtu pas futjes së saj në procesin e likuidimit, kurse nga 9 qershori kanë marrë kontrollin edhe mbi fabrikën Lola në Shtërpcë, ndërsa 150 punëtorë dhe udhëheqës të saj janë hedhur në rrugë”.

\”Gjatë disa muajve të fundit AKP ka shitur edhe Kooperativën veterinare në Shtërpcë, të cilën e ka marrë pronari i ri shqiptar, kurse po kësi fati i kanoset edhe shtëpisë së mallrave Mladost\”, thuhet në kumtesë.

Kjo zyrë thekson se Prishtina është duke e bërë edhe eksproprijimin tokës private në Shtërpcë, me qëllim të rregullimit hapësinor të parkut \”Sharri\”, për zhvillimin e turizmit.

Në mesin e pronarëve të cilëve iu eksproprijohet toka është vetë një emrë shqiptar, derisa të tjerët janë emra serbë, thekson zyra serbe.