AKP-ja e bllokuar me ligj

Ligji që u hartua ta kosovarizojë Agjencinë e Privatizimit, po del se e ka bllokuar këtë institucion. Tash e sa muaj bordi i AKP-së nuk është kompletuar me një anëtar ndërkombëtar.

Lajme

15/04/2014 08:22

Si pasojë e mos-kompletimit të Bordit të AKP-së kanë mbetur pa u ekzekutuar vendimet për likuidimin e 202 ndërmarrje shoqërore.

Kjo bllokadë në këtë bord pritet të vazhdojë edhe një kohë të gjatë për shkak të paqartësive ligjore.

Sipas ligjit të AKP-së, anëtarët ndërkombëtar të bordit, duhet t’i zgjedh përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, mandati i të cilit tashmë ka mbaruar.

Në AKP nuk dinë se kush duhet ta zgjedhë anëtarin ndërkombëtar të bordit.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ka thënë se Kuvendi duhet të japë shpjegime rreth plotësimit të bordit.

“Sipas Ligjit, AKP nuk bën zgjedhjen apo emërimin e drejtorëve në bordin e drejtorëve, por është përgjegjësi e institucioneve qendrore. Agjencia i ka njoftuar institucionet përgjegjëse për mungesën e drejtorëve në bord dhe vështirësitë që janë shfaqur në mungesë të drejtorëve, dhe shpreson se shpejt do të kompletohet bordi dhe do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë ligjore”, ka thënë Kaloshi.