AKP insiston në lirimin e pronave të uzurpuara ne veri, edhe pse sot u dështoi plani

Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte planifikuar që sot, me asistimin e Policisë së Kosovës të lironte prona të uzurpuara në veri të Kosovës, por një gjë e tillë ka dështuar.

Lajme

26/05/2016 19:55

E për këtë,  AKP dhe Policia kanë reaguar duke thënë se nuk është dështim.

Lajmi.net edhe një javë më parë edhe sot ka raportuar, duke prezantuar edhe dokumente që AKP ka vendosur datën e aksionit dhe ka kërkuar asistimin e Policisë, por tani thonë se e njëjta paraprakisht është shtyrë për realizim dhe kjo është bërë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë në mes të AKP-se dhe Policisë së Kosovës.

“Andaj referuar bashkërendimeve ndërinstitucionale të planifikuara me kohë dhe të bëra pas adresimit të shkresës së dt.18 maj 2016, njoftojmë opinionin e gjerë se nuk ka pasur planifikim të realizimit të ndonjë operacioni sot dhe nuk bëhet fjalë për dështim të shtetit apo institucioneve gjegjëse, siç potencohet në disa shkrime të portaleve të ndryshme. Njoftohet publiku se ditëve të ardhshme do të ndërmerren veprime me mbështetjen e plotë të Policisë së Kosovës për lirimin e të gjitha pronave shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet ne reagimin e tyre.

Por në shkrimin e sotëm, janë kontaktuar edhe Policia, si zyra qendrore ashtu edhe ajo rajonale në Mitrovicë dhe asnjëra palë nuk kanë pasur ndonjë përgjigje.

Askush nuk ishte i gatshëm të dëshmonte që është shtyrë, pse dhe për çfarë date.

Shiko shkrimin e plotë:

Ekskluzive: Shtetit i dështon aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara në veri (Dokument)

 

Ndërsa AKP thonë se që nga marrja e vendimit nga Agjencia për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga poseduesit dhe shfrytëzuesit e paligjshëm ka arritur të bëjë lirimin e rreth 130 aseteve nga shfrytëzuesit joligjor. / Lajmi.net