AKP i quan të pa baza deklaratat e Agim Shahinit

AKP ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të AKB-së Agim Shahini, për rastin të ish blerësit të Ndërmarrjes ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’.

Lajme

28/10/2014 13:38

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Aleancës Kosovar të Biznesit (AKB) Agim Shahini, i cili ditë më parë ka akuzuar AKP-në, duke i dal në mbrojtje të ish blerësit të Ndërmarrjes ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’

Në një komunikatë për media të AKP-së, deklaratat e Shahinit vlerësohen si të pa baza dhe qëllim keqe, ndërsa veprimi për shkëputje të kontratës me ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’, e quajnë ligjore.

 

Reagimi i plotë AKP-së:

Agjencia i vlerëson deklaratat e z.Shahini si të pamatura, të ngutshme, të njëanshme, të pabaza dhe pa asnjë argument dhe që dezinformojnë opinionin publik në dëm të imazhit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si institucion i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke kontribuar edhe në dëmtimin e imazhit të vendit në përgjithësi”.

Është e habitshme për AKP-në se si kryetari i AKB-së, z.Shahini me deklaratat e tij del në mbrojtje të ish blerësit të Ndërmarrjes ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’, i cili e ka shkelur kontratën e shitblerjes me AKP-në, ndërsa kritikon dhe akuzon pa asnjë bazë AKP-në që ka vepruar në përputhje me obligimet ligjore.

‘MIM Goleshi’ ishte privatizuar përmes metodës spin-off special në fund të vitit 2007 me çmim 810,000 Euro, obligimi për investime me kontratën e nënshkruar ishte në shumën 16,200,000 Euro gjatë periudhës dy vjeçare , ndërsa zotimi i punësimit: 40 punëmarrës në gjashtë muajt e parë, 178 në fund të gjashtë muajve, 355 deri në fund të vitit të pare dhe 355 punëmarrës të mbahen edhe për një vit.

Këto zotime janë premtime që nuk ia ka imponuar Agjencia, por i ka dhënë vet blerësi dhe mbi këtë bazë ai ishte shpallur fitues i përkohshëm i ndërmarrjes.

Agjencia ka bërë dy auditime në këtë ndërmarrje për të parë se në çfarë niveli janë përmbushur këto zotime të blerësit të përcaktuara në kontratën e shitblerjes. Nga auditimi i parë për periudhën 2 vjeçare  deri në dhjetor të 2009, ka rezultuar se ish blerësi ka realizuar vetëm 0.72 % investimeve, apo 117 mijë e 570 euro nga 16 milionë e 200 mijë euro sa ka pasur obligim të investoj. Ndërsa ka përmbushur obligime për punësim vetëm 21 %.

Auditimi i dytë nga auditorët e pavarur për periudhën pesë vjeçare (2007-mars 2012) ka nxjerrë këto rezultate: nga 16 milionë e 200 mijë euro investime të zotuara, ish blerësi ka prezantuara para auditorëve investime në vlerë realizuar 6 milionë e 764 mijë e 988 euro, apo 41 %, ndërsa investime të dëshmuara me pagesë sipas Raportit të Auditorit janë në vlerë rreth 327 mijë euro, apo vetëm 2.01 % nga shuma e përgjithshme e zotimeve. Ndërkaq zotimi për punësim është përmbushur vetëm 12.8 %.

Të dhënat e auditorëve të jashtëm dëshmojnë se ish blerësi nuk e ka respektuar kontratën e nënshkruar dhe premtimet që vet ai i ka dhënë dhe si pasojë e kësaj dhe me qëllim të ruajtjes së ndërmarrjes Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe kthimin e ndërmarrjes nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë. Prandaj AKP hedh poshtë si të pavërteta akuzat e z.Shahini, i cili tha se AKP po i largon investitorë të jashtëm dhe po i frikëson ata për të investuar në Kosovë.

Ndërmarrja ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’ tani është nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë, ndërkaq në afatin sa më të shpejtë të mundshëm do të shqyrtohet mundësia e funksionalizimit të ndërmarrjes “MIM Golesh”. Agjencia Kosovare e Privatizimit siguron opinionin publik se do të veprojë konform obligimeve ligjore që dalin nga Ligji i AKP-së, ndërkaq kërkon nga AKB-ja që nëse nuk kanë vullnet për të ndihmuar procesin e privatizimit, së paku të mos del pengesë duke u rreshtuar në anën e shkelësve të kontratave të shitblerjes.