AKP e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Llamkos

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti takimin e radhës ku diskutoi për një varg çështjesh të përcaktuara në agjendë, në përputhje me mandatin ligjor.  

Lajme

02/06/2014 19:18

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) miratoi të hënën një numër të transaksioneve të shitjes së aseteve përmes likuidimit nr. 25, si dhe shqyrtoi statuset përfundimtare të disa ndërmarrjeve shoqërore.

Udhëheqja e Agjencisë po ashtu diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në dhe lidhur me ndërmarrjen Trepça.

Megjithë vështirësitë me të cilat po përballet shkaku i paqartësive ligjore, Bordi i AKP-së po vazhdon me kujdes të shtuar të koordinojë çështjet e Trepçës dhe për çdo gjë të nevojshme do të bashkëpunojë ngushtë me Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe institucionet qendrore shtetërore.

AKP shpreson se me konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të kompletohet edhe Bordi i Drejtorëve i Agjencisë si organ vendimmarrës, me ç’rast do të mundësohej edhe liferimi i mjeteve pas trajtimit të pretendimeve në procesin e likuidimit, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për nivelin e përmbushjes së zotimeve nga blerësit e ndërmarrjeve që janë privatizuar me kushte dhe u shpreh shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në ndërmarrjen e privatizuar “Llamkos”.

Agjencia do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore me qëllim të respektimit të kontratës së shit-blerjes në këtë ndërmarrje, thuhet në komunikatë.

Lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga organet e drejtësisë në AKP, Agjencia beson që drejtësia do të trajtojë rastin në fjalë me profesionalizëm dhe duke u mbështetur në ligj dhe së shpejti do të përfundojë procedura hetimore ndaj zyrtarëve të saj.

Udhëheqja e Agjencisë kërkon nga stafi i vet që të vazhdohet me punën profesionale me integritetin më të lartë, duke përmbushur misionin dhe mandatin e dhënë nga Kuvendi i Kosovës.