AKK: Rritja e pagave nga Haradinaj është konflikt interesi, do të marrim masa ligjore

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e ka cilësuar si konflikt interesi vendimin e Qeverisë për rritje të pagës së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vartësve të tij.

Lajme

25/06/2018 13:20

AKK në një përgjigje për Telegrafin thotë se mbetet prapa këtij opinioni dhe se ka paralajmëruar masa ligjore ndaj Qeverisë në rast se e njëjta nuk e respekton opinionin e dhënë nga ta.

“Agjencia kundër Korrupsionit në përputhje me Aktgjykimin 1258/18 e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht piken 113, mbetet prapa opinionit të vet, të lëshuar me datë 29.01.2018, lidhur me Vendimin nr. 04/20 për caktimin e pagës mujore për kategori të caktuara të pozitave, përfshirë ngritjen e pagës së Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave, këshilltarëve, dhe një kategorie të shërbyesve civilë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 20.12.2017. E njëjta do të veproj në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen për Telegrafin nga AKK.

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113. 2 (1) dhe 116. 2 të Kushtetutës, të neneve 27 (1), 29 dhe 30 të Ligjit dhe në mbështetje të rregullave 29, 54, 55 dhe 56 (1) të Rregullores së Punës, kishte konstatuar se “Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 20/14, i 20 dhjetorit 2017, nuk është në kundërshtim me nenet e pretenduara të Kushtetutës”.

AKK me opinionin e datës 19 janar 2018 kishte gjetur se ishte paraqitur situata e konfliktit të interesit në vendimin e për ngritjen e pagës së kryeministrit dhe disa prej vartësve të tij.

Pas këtij opinioni, Qeveria e Kosovës e kishte rifuqizuar vendimin për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar.

Lidhur me çështjen e rritjes së pagave kishte reaguar edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, e cila kishte kërkuar që të tërhiqet një vendim i tillë.

Mirëpo, Avni Arifi, shef i kabinetit të kryeministrit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, duke i thënë që sa merret me paga më mirë është të merret me marrëveshjet e dialogut me Serbinë.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se rritja e pagave të kabinetit qeveritar është vendim arbitrar dhe përbën shkelje të ligjeve në fuqi.

Hoti kishte thënë se një vendim i tillë për rritjen e pagave paraqet edhe konflikt të interesit.

Ndryshe, edhe ministri i Financave, Bedri Hamza ka dalë kundër këtij vendimi, pasi që siç thotë ai kjo është e dëmshme për buxhetin e shtetit të Kosovës.

Ai dhe këshilltarët e tij kanë refuzuar të marrin pagën me rritje.