AKI mund t’i përgjojë të gjithë

Qeveria e Kosovës i ka sfiduar anëtarët e Komisionit parlamentar për integrim evropian, raporton KTV.

Lajme

13/01/2015 19:18

Ekzekutivit ua ka dorëzuar deputetëve të këtij komisioni projektligjin për përgjimet elektronike. Ai në legjislaturën e kaluar nxiti diskutime të shumta, pasi nene të shumta të tij supozohej se përmbanin shkelje të të drejtave të njeriut.

Megjithatë qeveria është e vendosur ta çojë përpara miratimin e këtij ligji, pasi është kërkesë direkte e Bashkimit Evropian.

Anëtarët e Komisionit parlamentar për integrim thonë se nuk do të lejojnë ligjin të kalojë më atë përmbajtje, të cilën e kishte paraprakisht, e që përfshinte cenim të të drejtave të lirive të njeriut, duke përfshirë shkeljen e privatësisë.

Vjosa Osmani thotë se ligji duhet të jetë në harmoni me kriteret evropiane, e jo si në të kaluarën që binte ndesh me legjislacionin e Bashkimit Evropian, përcjell Koha.net.

Anëtari tjetër i këtij komisioni, Ilir Deda, thotë se duhet të analizohet çdo nen i këtij ligji dhe duhet shmangur çdo tendencë që Kosova të shndërrohet në një shtet policor.

Ky projektligj ka dy probleme kryesore.

I pari është fakti se do të vazhdohet të mbahet një përgjim i përgjithshëm i popullsisë, duke i përfshirë edhe ata që nuk janë pjesë e ndonjë dyshimi.

Dhe, problemi i dytë është që AKI-ja do të ketë qasje të palimituar në këto përgjime./Koha.net/