AKI e ktheu Erionin nga Siria me ndihmën e një xhiahdisti të penduar

Pendimi i një xhihadisti dhe komunikimi i tij me institucionet e sigurisë, Agjencinë e Inteligjencës dhe Prokurorinë Speciale, ka bërë të mundshëm kthimin nga Siria të tetë-vjeçarit Erion Zena.   

Lajme

17/10/2014 09:51

Sipas burimeve të të përditshmes “Zëri”, për këtë shërbim, xhihadisti është amnistuar nga ndjekja penale, vepër kjo që do të përballën të gjithë ata shtetas kosovarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri apo Irak, nëse kthehen.    

Erion Zena i është kthyer nënës së tij, Pranverës, me të cilën nuk ishte takuar që prej 7 korrikut.

Për largimin e Erionit në Siri, babai i tij Arbeni ishte dashur ta mashtrojë bashkëshorten Pranverën, duke i thënë se po shkonin bashkë me djalin për piknik në Rugovë.

Arbeni, edhe pse e kishte marrë të birin në Siri, ai e kishte lënë atë në një kamp sirian qe kontrollohej nga “Shtetit Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS), nga ku u bë e mundshme nxjerrja e tij.     

Erioni, për të cilin shkruan edhe mediat më prestigjioze ndërkombëtare, përfshi edhe BBC-në (falë insistimit të së ëmës së tij), u kthye pas një operacionin të suksesshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, i cili u ndihmua në terren nga agjentët e shërbimit sekret të Turqisë që ndodhen në Siri.

Presidentja dhe kryeministri kanë përshëndetur burrat dhe gratë që morën pjesë në këtë aksion, por nuk kanë dhënë detaje tjera rreth rastit.

Arbeni, i ati i Erionit, sipas profilit të tij në Facebook, nga Siria ka udhëtuar në Mosul, qyteti i dytë për nga madhësia në Irak, i cili në muajin korrik u pushtua nga kalifati i ISIS-it, “Shteti Islamik”.      

Sipas statistikave jozyrtare, rreth 160 shtetas kosovarë iu janë bashkuar militantëve të ISIS-it në Siri dhe Irak.

Me kthimin e mundshëm të tyre në Kosovë, këta “luftëtarë” rrezikojnë të paktën 15 vjet burg.