Ajnishahe Halimi merr në Fraksion +, deputetë e zyrtarë nga Vetëvendosje 

Ajnishahe Halimi me subjektin e ri politik Fraksion +, pretendon se pas vetës ka shumë të paknaqur që nuk pajtohen me veprimet e Lëvizjes Vetevendosje. Për lajmi.net, Halimi thotë se atë e mbështesin anëtarë, asamblistë komunash, zyrtarë të lartë të komunës së Prishtinë e madje edhe deputetë të Kuvendit  të Kosovës. Në Vetëvendosje, nuk pranojnë t’i komentojnë deklaratat e ish kandidatës së tyre për kryetare të Skenderajt, e cila konfirmon se për mundësi bashkëpunimi, ish partisë së saj i ka rënë vijë të kuqe.

Lajme

11/02/2016 18:20

Lëvizjen Vetëvendosje shpejt mund ta braktisin deputetë,  zyrtarë të lartë të komunës së Prishtinës dhe asamblesitë të komunave të tjera.

Ata ka mundësi t’i bashkohen Fraksion +, të drejtuar nga Ajnishahe Halimi, dikur kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të komunës së Skenderajt.

“Ne jemi në kontakt me të gjithë ata që kanë qenë dhe janë të paknaqur me veprimet e Vetëvendosjes”, thotë Halimi, për lajmi.net. “Janë bukur shumë prej tyre”.

Halimi pretendon se të pakënaqurit në këtë Lëvizje,e më konkretisht me veprimet e saj,  jo vetëm që janë të shumtë, e nga të gjitha komunat, por më të rëndësishmit janë nga vetë Prishtina.

“Janë zyrtarë e  ish asamblesita të Kuvendeve Komunale. Por ka edhe zyrtarë të tjerë e edhe deputetë”, thotë Halimi, dikur aset i fortë i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj.

“Ka edhe nga Prishtina e bile edhe nga krerët e komunës aty”, thotë ajo, në bisedë për lajmi.net.

Por këto deklarata, nuk i bëjnë përshtypje Lëvizjes Vetëvendosje. Frashër Krasniqi, zëdhënës i klësja partie më të madhe opozitare, e cilëson Halimin si shumë të parëndësishme.

“Është aq e parëndësishme, saqë në asnjë mënyrë nuk komentojmë për ato që thotë ajo”, thotë  Krasniqi, për lajmi.net.

Sidoqoftë, Halimi, dikur shtyllë e fortë e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, qytetin ku prej 16 vjetësh qeverisë PDK-ja, thotë të jetë e vendosur në rrugën që ka nisur.

“Varësisht prej rrethanave që do të zhvillohen në Kosovë, ka mundësi të regjistrohemi si parti politike”, thotë Halimi. “Sigurisht mendojmë të regjistrohemi, por do të shohim se si do të rrjedhë situata politike”.

Popr para se ta regjistrojë partinë e re politike, paraprakisht Halimi ishte të mërkurën në takim me Kryeministrin Isa Mustafa. Ajo tregon edhe qëllimin e takimit.

“Karshi  kësaj situate,  patjetër që duhet të takohemi me krerët e institucioneve dhe duhet tu themi të gjithë atyre që merren me politikë se duhet të jenë të përgjegjshëm”, thotë ajo.

Halimi dikur ishte kritikuesja më e madhe e Hashim Thaçit, zv.Kryeministrit aktual dhe kryetarit të PDK-së. Por tash për partinë e tij dhe të tjerat, thotë se nuk ka vijë të kuqe. Përveç njërës!

“Sigurisht se nuk kemi vija të kuqe për askënd, për asnjë parti e njeri, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje”.

Ndërkohë, sot Hashim Thaçi pritet të qëndrojë në Skenderaj. Pas Mustafës, a ka mundësi që ajo ta takojë edhe Hashim Thaçin? Për këtë Halimi ka përgjigje.

“Aktualisht jam në Vushtrri dhe  nuk kam arsye të takohem me askënd. Ne jemi Fraskion Plus dhe ne vednosim si një trup i përbashkët”.

Në anën tjetër, sa i përket takimit me Kryeministrin Mustafa një ditë më parë, Halimi tha se atij i ka propozuar që të bisedohet për Asociacion e Demarkacion, në mënyrë që të mos vjen deri te e  keqja më e madhe e kalljes së shtetit, apo edhe  ndonjë gjakderdhje e mundshme./lajmi.net