Hoxhaj para Mogherinit: BE-ja dështoi ti mbaj premtimet për vizat më 2018

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në takimin e tretë të Këshillit për Stabilizim Asociim Kosovë – BE, në Bruksel ka thënë se vitin 2018, kosovarët do ta mbajnë mend si vitin kur Bashkimi Evropian dështoi ta mbajë premtimin dhënë qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë në zonën Schengen.

Lajme

17/12/2018 15:35

Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet e dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, duke shtuar se “për çka na u tha që është proces teknik, e që në fund u tha se kemi të bëjmë me vendim politik”, përcjell lajmi.net.

“Këtë vit qytetarët e Kosovës do ta mbajnë mend si vitin kur Bashkimi Evropian dështoi ta mbajë premtimin për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet e dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, për çka na u tha që është proces teknik, e që në fund u tha se kemi të bëjmë me vendim politik. Edhe ky takim i sotëm i Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të mund të ishte i jashtëzakonshëm po të kishte vendim pozitiv. Dua ta theksoj pakënaqësinë e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për mos përmbushjen e këtij premtimi të kamotshëm, duke e lënë Kosovën shtetin e vetëm të izoluar në rajon”, ka thënë Hoxhaj në takimin e KSA-së që po mbahet në Bruksel. /Lajmi.net/