Ahmeti “zbut” partinë, nuk ka protesta

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paraqitur të enjten një qëndrim të të zbutur të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj ngërçit politik, por duke bërë me dije edhe njëherë se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje me PDK-në.

Lajme

06/11/2014 12:56

Paralajmërimet e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deputetit të kësaj lëvizje, Visar Ymeri dhe përfaqësues të tjerë për mundësinë e daljes në rrugë për “zgjidhjen e ngërçit” dhe largimin e PDK-së nga pushteti, Ahmeti i ka interpretuar ato si nevojë për “reagim qytetar”, jo si protesta.    

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka paralajmëruar protesta, porse zyrtarët e partisë kanë thënë se ky ngërç kërkon edhe një reagim qytetar, ka thënë kreu i Prishtinës gjatë vizitës së fillimit të disa rrugëve në lagjen Kalabria.

Këto komente u bënë pak minuta pasi ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson tha në një debat të organizuar se “thirrja për protesta është thirrje e gabuar” dhe se “ngërçi politik zgjidhet me komunikim mes liderëve”.

Ahmeti ka thënë se Vetëvendosje ka kërkuar përkrahje për “reagim qytetar” edhe nga koalicioni LAN, por  jo se VV si subjekt i vetëm do të organizoj protesta të tilla.

Kryetari i Prishtinës, duke folur për ngërçin politik, ka thënë se është optimist në krijimin e institucioneve pasi që sipas tij shumica parlamentare ekziston, dhe se Blloku LVAN nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me PDK-në edhe nëse kjo e fundit bënë thirrje për ndonjë të tillë.