Ahmeti tregon kush do ta përkrah referendumin e 30 shtatorit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është shprehur i bindur që të gjithë ata që duan një Maqedoni të integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të përkrahin referendumin e 30 shtatorit, përfshirë këtu edhe opozitën, pasi që integrimi euroatlantik i vendit është përcaktim edhe i tyre.

Lajme

17/08/2018 14:46

Ahmeti i bëri këto komente gjatë takimit me ambasadorin holandez në Maqedoni, Vauter Plomp, me të cilin kanë diskutuar rreth integrimit euroatlantik, referendumit të 30 shtatorit, sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe zhvillimet rajonale.

Kryetari Ahmeti ka njoftuar ambasadorin Plomp rreth përgatitjeve të Bashkimit Demokratik për Integrim për rrumbullakësim të suksesshëm të rrugës euro-atlantike nëpërmjet të zbatimit të referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese.

“Sa i përket reformave, sundimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, BDI ka vendosur praktikë unike në vend duke ftuar dhe mbështetur organet që të hetojnë çdo pretendim për korrupsion dhe njëkohësisht inkurajon edhe partitë tjera të bëjnë të njëjtën”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Në fund, Ahmeti konkludoi që rruga e vetme për rajonin është pajtimi dhe integrimi i plotë euro-atlantik me zbatim të standardeve evropiane.