Ahmeti: Të pezullohet taksa në mënyrë që t’i jepet shans dialogut

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka kërkuar që të pezullohet taksa.

Lajme

06/02/2019 19:28

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë që janë për t’u pezulluar taksa për t’i dhënë shans dialogut.

Por, sipas tij, nëse dialogu nuk ka sukses atëherë taksa duhet të hyjë në fuqi menëjherë.

Në një intervistë për televizionin publik ai ka deklaruar se këtë ia ka thënë edhe kryeministrit Haradinaj, dhe ka kërkuar që për këtë të merret një vendim i përbashkët i të gjitha partive politike në Kosovë.

“Taksa është e drejtë, por nuk është mirë që Haradinaj të ndihet i vetmuar në këtë çështje, duhet koordinim, dhe nëse merret vendim të merret bashkërisht”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka thënë se të martën e javës tjetër do të dorëzohet në Kuvend platforma për bisedime, derisa komunikatën e sotme të LDK-së dhe LVV-së e ka quajtur për keqardhje, pasi që sipas tij të gjitha gjërat që i kanë kërkuar i kanë pasur në platformën që e ka propozuar PSD-ja muaj më parë.

Krei i Prishtinës i ka quajtur qesharake akuzat e LVV-së për qumështin, dhe komike ato të LDK-së për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet në Prishtinë.