Ahmeti: Shqiptarët në Maqedoni nuk janë të përçarë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka vlerësuar pozitive arritjen e marrëveshjes në Maqedoni, që vendi të dalë nga kriza politike.

Lajme

05/06/2015 09:48

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai u ka bërë thirrje liderëve të tjerë, nënshkrues të kësaj marrëveshje, ta respektojnë atë, përndryshe Maqedonia do t’i humbë aleatët e saj, ShBA-në dhe Evropën.

Ahmeti ka thënë se sa më parë duhet të fillojë zbatimi dhe funksionimi i marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës në Maqedoni.

Ai ka vlerësuar se në rast se do të ketë zbatim të kësaj marrëveshje, gjërat do të lëvizin për së mbari jo vetëm në dobi të shqiptarëve, por të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. “Arritja e kësaj marrëveshje është një mundësi e mirë që vendi të dalë nga kriza me të cilën po ballafaqohet. Marrëveshja duhet të respektohet nga të gjitha palët, sepse ka pasur një angazhim mjaft të fortë dhe të dendur nga komuniteti ndërkombëtar për arritjen e saj. Prandaj, sa më parë duhet të fillojë zbatimi dhe funksionimi i kësaj marrëveshje në praktikë”, ka deklaruar Ahmeti, duke shtuar se tash për tash nuk ka rrezik të dështimit të kësaj marrëveshje. “Të gjitha palët kanë pasur vullnet të mirë për ta nënshkruar, por gjërat aq interesant janë duke u zhvilluar sa nuk mund t’ju them 100 për qind se si do të duket përfundimi. Të gjithë kemi obligim për paqen dhe stabilitetin në vend, prandaj u bëj thirrje të gjithë nënshkruesve të marrëveshjes, në prani të miqve tanë ndërkombëtarë, që të jemi korrektë dhe t’i qëndrojmë fjalës së dhënë”, është shprehur ai.

Ahmeti nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeveri teknike, duke thënë se ende nuk ka një vendim të prerë se si do të veprohet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. “Akoma nuk ka ndonjë vendim të prerë. Kjo çështje kërkon pajtim të gjerë, prandaj duhet të bisedohet mes palëve. Mirëpo, prioritet i kemi dhënë agjendës euroatlantike, marrëdhënieve me fqinjët, marrëdhënieve ndëretnike, si dhe çështjeve të brendshme që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve”, ka theksuar Ahmeti. Ai ka thënë se shqiptarët në Maqedoni nuk janë të përçarë, edhe pse dikush dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Sipas tij, shqiptarët në organet drejtuese në Maqedoni nuk janë dekor, por janë me përgjegjësi të larta për t’i kryer detyrimet dhe obligimet që kanë marrë përsipër me platformën zgjedhore dhe filozofinë e tyre politike.

Lideri i BDI-së ka folur edhe për konfliktin e armatosur në Kumanovë, duke thënë se për këtë çështje ka kërkuar të vendosen kontakte të drejtpërdrejta në mes dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe Kosovës, në mënyrë që kjo ngjarje të ndriçohet deri në fund dhe të mos u lihet hapësirë konspiracioneve të ndryshme.