Ahmeti premton pesë shkolla, akuzon Qeverinë për mosinvestim

Kryetari aktual dhe kandidati i sërishëm për kryeqytetin nga Vetëvendosja, Shpend Ahmeti ka komentuar faktin se ai është kritikuar shumë nga kundërkandidatët e tij se nuk e ka ndërtuar asnjë shkollë gjatë mandatit të tij.

Lajme

21/09/2017 23:09

“Ndërtimi i një shkolle në Komunën e Prishtinës kushton prej 3 milionë deri në 5 milionë euro, një shkollë me hapësirë diku për 1200 nxënës. Me këtë buxhet për ndërtimin e një shkolle na duhen tre vjet, pra për një mandat me këtë buxhet mund ta ndërtojmë një shkollë”.

Ahmeti që është i ftuar në “Zona e Prishtinës” në Klan Kosova ka thënë se Qeveria qendrore nuk e ka ndihmuar komunën e Prishtinës në fushën e arsimit.

“Është dashakeqe që Qeveria nuk e ka investuar asnjë cent në investime kapitale në arsim në komunën e Prishtinës”.

“Në një qytet që është 1/4 e Kosovës e ka ndërtuar një projekt të vetmin, dhe ai është një projekt që s’e donim ne, rrugën e Veternikut me gjashtë korsi”.

Ai ka thënë poashtu se me një marrëveshje që komuna e Prishtinës ka nënshkruar do të ndërtohen pesë shkolla të reja.

Ahmeti ka premtuar se këto shkolla do t’i ketë Prishtina qoftë apo jo ai sërish në krye të qeverisjes.

“Kemi nënshkruar kontratë me Bankën Botërore për pesë shkolla të reja që ndërtohen nga sektori privat. Kushdo që të zgjedhet  kryetar i Prishtinës do t’i bëjë këto pasi procesi nuk ndërprehet”.

“Janë pesë shkolla që e përmbyllim rrjetën sepse ideja ka qenë që i kemi tri shkolla të mbipopulluara, “Faik Konica”, “Hasan Prishtina” dhe “Ismail Qemaili” dhe me ndërtimin e shkollave të reja e largojmë edhe numrin e madh të nxënësve”.

Sipas Ahmetit, me ndërtimin e këtyre shkollave do të mbesin shumë pak pjesë të  kryeqytetit që nuk do të kenë afër shkolla.