Ahmeti: Nesër dalin në qarkullim 15 autobusët e rinj

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se që nga nesër për herë të parë do të dalin në qarkullim 15 autobusët e rinj në trafikun urban në kryeqytet.

Lajme

10/01/2017 13:11

Këto komente ai i ka bërë gjatë prezantimit të kombi-busit për transport të personave me nevoja të veçanta, dhuruar nga  kompania “Iveco”.

I pyetur nga Ekonomia Online se a do ta zgjedhin këta autobusë problemin e trafikut urban në kryeqytet, kryetari Ahmeti ka thënë se tha se po shkojnë drejt zgjidhjes së problemit, duke theksuar se Prishtina me rreth 350 mijë banorë ka nevojë për 160-200 autobusë për të funksionuar transporti publik.

“Qe 27 vjet nuk është blerë asnjë autobusë, ndërsa ato që janë të linjave private kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë autobus të vjetër, ndoshta më i riu është diku 10 vjet. Me 51 autobusë nuk e përmbushim as nevojën që duhet ta kemi në pronë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka treguar edhe për çmimin e biletave dhe se kush do të udhëtojë falas me këta autobusë.

“Një biletë me këta autobusë do të vlejë dy orë në të gjithë autobusët e Prishtinës, nëse blihet e njëtrajtshme, pastaj do të këtë bileta ditore, javore dhe mujore, biletat falas do të jenë për pensionistë dhe me çmime të reduktuara për student. Bileta mesatare do të kushtojë diku 50 cent”, ka thënë Ahmeti.

Iveco dhuron kombi-busin për transport të personave me karroca

Kryetari Ahmeti dhe Antoine Garnier, anëtar i bordit dhe drejtor industrial i kompanisë “Iveco” kanë prezantuar kombi-busin për transport të personave me nevoja të veçanta, dhuruar nga kjo kompani për Komunën e Prishtinës.

“Në të kaluarën është kujdesur HANDIKOS për transportin e këtyre fëmijëve, por tani e tutje këtë do ta bëjë komuna në bashkëpunim me Transportin Urban dhe shërbimi do të jetë falas”, ka thënë Ahmeti, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa Antoien Garnier nga kompania “Iveco”,  tha se është i gëzuar që kanë dhënë si donacion automjetin për bartjen e fëmijëve me karroca.

“Komuna e Prishtinës është duke bërë shumë për riformimin e trafikut urban dhe jam shumë i gëzuar që ne si ‘Iveco’ jemi pjesë e kësaj”, tha ai./Ekonomiaonline.com