Ahmeti: Mustafa kërkoi nga Hamiti të thotë të pavërteta për qeverisjen në Prishtinë

Pak pasi Grupi i LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës e akuzoi kryetarin Shpend Ahmeti për dështim në qeverisje, ky i fundit ka reaguar nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij personale.

Lajme

26/12/2015 19:25

Ahmeti ka shkruar se kryeministri Isa Mustafa e ka udhëzuar asamblistin e LDK-së në Kuvendin e Komunal të Prishtinës, Sami Hamitin, që të lëshojë të pavërteta për të dhe qeverisjen e tij në kryeqytet. Sipas Ahmetit, më nuk është çudi se për Mustafën më problem është qeverisja e Vetëvendosjes se sa strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.

Më tej, Ahmeti ka numëruar, siç i ka quajtur ai, disa prej skandaleve të Qeverisë Mustafa gjatë mandatit të tij deri tash.

“Sivjet ka humb vende të punës, kanë ik mbi 50 mijë qytetarë nga Kosova, ka pas skandal pas skandali. Shpifjet ndaj VV në Prishtinë përmes Sami Hamitit nuk do ta shpëtojnë nga rënia e lirë”, ka shkruar ai.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Ahmetit:

Isa Mustafa e paska udhëzuar Sami Hamitin me grupin të lëshojnë komunikatë me plotë të pavërteta për mua dhe qeverisjen në Prishtinë. Nuk është çudi më kjo qasje. Për Isa Mustafën më problem është Prishtina dhe qeverisja e Vetëvendosjes se sa strukturat paralele të Serbisë. As kjo nuk është çudi më.

Sivjet ka humb vende të punës, kanë ik mbi 50 mijë qytetarë nga Kosova, ka pas skandal pas skandali. Shpifjet ndaj VV në Prishtinë përmes Sami Hamitit nuk do ta shpëtojnë nga rënia e lirë. Dorëheqja nuk mjafton!