Ahmeti fton Prokurorinë që të hetojë drejtorin e Vetëvendosjes në NPB për konkursin e lokaleve

Lidhur me daljen e audio incizimeve të zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore ka reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka ftuar organet e drejtësisë që të merren me rastin.

Lajme

06/06/2018 12:45

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore, Nexhat Kryeziu dhe  drejtori i Bordit, Liridon Latifi, kanë planifikuar dhe zbatuar një skemë të prishjes së një konkursi për dhënien me qira të lokaleve komunale afër Katedrales. Të pakënaqur me fituesit e konkursit publik, e kanë anuluar atë për shkak se dy njerëz, ndihmues të Vetëvendosjes nuk kishin fituar.

Dje në gazetën Insajderi është publikuar një audio incizim i drejtorit të Ndërmarrjes Publike Banesore, Nexhat Kryeziu anëtarin e Bordit, Liridon Latifi ku dëgjohet biseda për konkurs të lokaleve dhe favorizim të bizneseve. Sipas atij audio incizimi, njeri person i thotë tjetrit se në qoftë se nuk fitojnë ato kompani, ai konkurs duhet të anulohet.

Lidhur më këtë ka reaguar sot, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ahmeti ka thënë se ai Bord nuk ka legjitimitet, pasi siq ka pohuar ai, i ka skaduar mandati në fillim të këtij viti.

“Nuk dua që të hy në insinuata politike fare, por dua të sqaroj opinionin se mandati i bordit dhe i drejtorit ka skaduar në fillim të këtij viti. Që nga janari aksionarët kanë kërkuar që të lirohen zyrat dhe që bordi të mos merr vendime sepse nuk ka mandat por pa sukses. Së fundmi kemi kërkuar ndihmë edhe nga policia që këta persona të largohen për shkak të faktit se nuk kanë mandat”, ka thënë Ahmeti.

Komisioni vlerësues për konkursin e polakeve në të NPB, në “Pejton”,sipas Ahmetit, ka bërë punë të shkëlqyeshme sipas kritereve dhe ku nuk është favorizuar askush. “Nuk e pata kuptuar se si bordi pa mandat anulon punën e Komisionit. Por tani po e kuptoj. Ne emailin e anulimit te dërguar atëherë e qe e keni ne foto me poshte, nuk ipet arsye per anulim. Ne audio incizim kuptohet pse. Kjo është e papranueshme”, ka thënë tutje Ahmeti.

Pas daljes se audio incizimit, sipas Ahmetit, tash edhe Kuvendi Komunal e ka të qartë se cfarë kanë bërë në mbledhjen e fundit. “Bëj thirrje që menjëherë të lirohen zyrat e NPB nga ata që janë pa mandat. Vendimet e aksionarëve si personat e vetëm legjitim për vendimmarrje duhet të zbatohen menjëherë. Ftoj aksionarët që të shpallin konkursin për bord”, shtoi tutje Ahmeti.

Po ashtu, ai ka ftuar Prokurorinë dhe policinë e krimeve ekonomike të hetojë edhe konkursin e lokaleve edhe veprimet e fundit, siç thotë ai, të njerëzve jolegjitim në NPB. /Lajmi.net/