Ahmeti emëroi anëtar të komisionit të lejeve zyrtarin me aktakuzë për korrupsion për leje të ndërtimit

Menjëherë pasi u ishte konfirmuar aktakuza për korrupsionin ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, kryetari Shpend Ahmeti kishte marrë vendim që t'i pezullonte nga puna. Por, të njëjtin veprim Ahmeti nuk e bëri me dy zyrtarë tjerë të cilëve u është konfirmuar aktakuza për korrupsion në janar të vitit 2018. Për më tepër këta zyrtarë po favorizohen.

Lajme

26/04/2018 18:14

Gëzim Ferizi, inxhinier i arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës është dashur që dje të paraqitej në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me disa dyshime për korrupsion që po e ngarkon Prokuroria Themelore në Prishtinë. Por, ai mungoi në seancë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 25 janar 2018, Ferizi, në cilësinë e inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me ç’rast Komunës së Prishtinës i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Lajmi.net ka gjetur se i njëjti ende nuk është pezulluar nga puna nga kryetari Shpend Ahmeti. Për me tepër një muaj pas konfirmimit të aktakuzës për dallavere me lejet e ndërtimit ai u favorizua nga kryetari i Prishtinës. Ahmeti e emëroi atë anëtar të Komisionit për vlershmin e raporteve të lejeve mjedisore komunale. Emërimi i tij u bë me datë 21 shkurtë 2018.

Po ashtu, lajmi.net ka gjetur se, edhe pas akuzës së konfirmuar për dallavere me lejet e nderimit në Mati 1, Ferizi përsëri është paraqitur si zyrtarë i lejeve të nderimit pikërisht në lagjen Mati 1. Emri i tij gjendet në një leje të nderimit të lëshuar nga komuna me datë 7 shkurt 2018, ose pak ditë pas konfirmim të aktakuzës.

Ndërkohë, të mërkurën, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, ndaj inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizimit, Gëzim Ferizi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 25 janar 2018, Gëzim Ferizi, në cilësinë e inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me ç’rast Komunës së Prishtinës i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm material. Sipas aktit akuzues, i akuzuari Ferizi kishte nxjerr dy aktvendime të lejeve ndërtimore, por që pjesa tekstuale nuk përkonte me pjesën grafike. Ai akuzohet se më 22 mars 2013, kishte përpiluar aktvendimi e parë të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve afariste në objektin “A” dhe “C” në lagjen “Mati 1”, në Komunën e Prishtinës, ku investitor në këtë objekt është Latif Brajshori.

Kurse, sipas aktakuzës, më 10 qershor 2013, kishte nxjerrë aktvendimin e dytë për lejen e ndërtimit për objektin “B”, po në këtë lagje, ku investitor është “NNH Morina Ib”. Ai akuzohet se pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, e që në pjesën grafike, sipas aktakuzës, kishte përfshirë edhe ngastrën kadastrale 741/14, e cila rrugë evidentohet në emër të Komunës së Prishtinës.

Po gjatë ditës së mërkurë ka rastisur të mbahet seanca edhe për Zoja Krasniqi, zyrtare në drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Zoja Krasniqit, dhe disa të tjerë me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprat penale. Edhe kjo zyrtare nuk është pezulluar nga puna akoma, sikur kishte ndodhur me 10 ish inspektorët komunal të ndermit.

Zoja Krasniqi akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2011 deri në vitin 2014 në cilësinë e personit zyrtar në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës kishte vepruar në kundërshtim me ligjin dhe detyrat e saj zyrtare.

Sipas akuzës, Zoja Krasniqi  kishte shqyrtuar dosjet për projekte të ndryshme për kandidatët që kishin aplikuar për subvencione në Komunën e Prishtinës, e në këto dosje e projekte kishin marrë pjesë kunata e saj Albulena Rama dhe vëllai i saj, Arben Gashi dhe si rezultat në këto projekte që ata kishin qenë të angazhuar, kishte pasur interesa të drejtpërdrejta./Lajmi.net/