Ahmeti e Sejdiu: Të deleguarit e popullit në burg

​Pas arrestimit të 5 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe nënkryetari i tij Dardan Sejdiu.

Lajme

14/12/2015 23:22

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shkroi se në njërën anë zhvillohet beteja e partnerëve të koalicionit për bordin e AKP-së e ndërmarrjeve publike, pasi përplasen për shkak të të afërmeve të punësuar aty, ndërsa në anën tjetër arrestohen 13 deputetë të opozitës që kundërshtojnë Asociacionin e demarkacionin.

“Në njërën anë beteja e partnerëve të koalicionit për bord të AKP e ndërmarrje publike ku tashmë kanë dhjetëra anëtarë familjesh e në anën tjetër 13 deputetë të arrestuar për asociacionin e demarkacionin. Legjitimiteti zero i koalicionit të korrupcionit!”, ka shkruar Ahmeti.

Në anën tjetër, nënkryetari Sejdiu ka shkruar se deputetët e arrestuar kanë guximin për t’u ballafaquar me kriminelët që sunduan dhe zhvatën për 15 vite Kosovën, ndërsa sipas tij të heshturit po na bindin që heshtja nuk kalon por të mallkon.

“I deleguari i popullit, pra deputeti, eshte sonte ne Burg. Ata deputet qe kane guxim po ballafaqohen me kriminelet qe sunduan dhe zhvaten per 15 vite Kosoven,.Ndersa ata deputet qe nuk kane guxim ata po votojne te heshtur dhe pa kundershtim. Te deleguarit e guximshem po na japin tjereve guxim, qe te drejtohemi, te kendellemi, te behemi bashke dhe te rezistojme e te clirohemi nga keta qe kapen e zhvaten. Ndersa keta te heshturit po na bindin qe heshtja nuk kalon, heshtja te mallkon. Kosova nuk ka dite per keta hajna, Kosova ka dite per ecje perpara. Ne nuk do te ndalemi”, ka shkruar Sejdiu.

Policia ka arrestuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, Fisnik Ismajli dhe Faton Topalli si dhe dy deputetet Aida Dërgutin dhe Besa Baftiun.