Përfundoi takimi i liderëve, nuk arrihet marrëveshje konkrete

(Plotësim) Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni kanë përfunduar takimin e përbashkët, i cili u mbajt në ambientet e presidencës dhe u ndërmjetësua nga ndërkombëtarët.

Lajme

14/05/2015 17:06

Liderët e partive në Maqedoni janë ndarë pa ndonjë marrëveshje konkrete por vetëm me miratimin e një Deklarate të përbashkët përmes së cilës nënvizohet gatishmëria për të dialoguar dhe për protesta paqësore, informon INA.

I pari që ka dalë nga takimi ka qenë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për mediat.

Ndërsa, përfaqësuesit e BDI-së dhe PDSH-së, Artan Grubi dhe Luan Tresi kanë lexuar qëndrimin partiak të mbështetur në deklaratën e miratuar.

Më pas nga takimi ka dalë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili para gazetarëve konfirmoi se takimi këtij formati do të vazhdojë ditën e hënë, ndërsa ai theksoi se palët nuk kanë përafruar qëndrimet.

Zaev theksoi se opozita maqedonase mbetet në qëndrimin e saj për dialog politik dhe protesta paqësore, ashtu siç është miratuar Deklarata e Përbashkët, por sipas tij, për tejkalimin e krizës duhet formimi i një qeverie kalimtare dhe kërkesat e tjera.

“Vazhdojmë ne me rrugën tonë ‘E vërteta për Maqedoni’. Me këtë takim dhe protestën do ti japim shansin vendit për rrugën euroatlantike.

Do të kthehemi në Parlament nëse ka qeveri kalimtare. Protesta do të jetë protestë e madhe multietnike dhe sigurojë se do të jetë paqësore”, deklaroi ndër të tjera Zaev.

Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti po vazhdojnë takimin e tyre, por nuk jepen detaje. Në këtë takim nuk janë ambasadori i SHBA-ve, Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

Gruevski dhe Ahmeti pas disa minutave, gjithashtu kanë mbyllur takimin. Gruevski para gazetarëve lexoi deklaratën e miratuar dhe u morën vesh që t`i hapin rrugë dialogut, për të vazhduar me takim në ditën e hënë.

I pyetur se përse nuk dha dorëheqje, ai theksoi se për këtë vendos populli.

______________________________________________

Pas një pushimi të shkurtër, bisedimet vazhdojnë, por liderët e partive mbeten në pozicionet e tyre. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti propozoi formimin e një grupi punues për të zgjidhur krizën politike në vend, dhe me anë të kësaj faze do të kishte zgjidhur të gjitha problemet. E njëjta gjë u pranua nga kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, transmeton TetovaSot.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev këmbëngul për një qeveri kalimtare që do të organizojë për zgjedhjet.

Për LSDM-në është e papranueshme që të krijohen grupe punuese dhe ata e shohin pse ka problem për të ngritur një qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet në qoftë se Nikolla Gruevski është i bindur se ai ka mbështetjen e popullit.

Ambasadori Aivo Orav dhe takimi Jess Bailey vetëm kanë dëgjuar pikëpamjet e liderëve politikë dhe pozitat e tyre.

YouTube player
YouTube player